Shumë prodhim po i vjen Kombëtares së Shqipërisë, sidomos sa i përket aspektit të sulmit. Nëse më herët mbështeteshim vetëm te emra si Sadiku, Cikalleshi apo Balaj, konkurrenca në këto kohët e fundit do të shtohet ndjeshëm.
Në listë është futur edhe Emiliano Bullari, lojtari që Shqipëria e ka edhe në vëzhgim, për të pritur momentin e duhur që të debutojë me Kombëtaren A. Aktualisht ky lojtar është pjesë e Olimpiakosit, ndërsa tek të rinjtë bën diferencën dhe debutoi në listën e “Europa League” me ekipin e parë ndaj Arsenalit.
Ndërkohë te Shqipëria U-21 ka vendosur një rekord të ri. Alban Bushi do t’i dërgonte ftesën megjithëse ishte vetëm 17-vjeç, ndërsa më herët asnjë kuqezi nuk kishte arritur që t’i bashkohej U-21 tonë me këtë moshë. Kjo pasi dihej kualiteti i Bullarit dhe Greqia bëri gjithçka për ta marrë, ndërsa ky sulmues do të realizonte në transfertë ndaj Turqisë U-21.
“Sport Ekspres” ka mësuar se drejtues të Romës kanë kontaktuar sërish gjatë mëngjesit të sotëm për t’u interesuar sa i përket këtij futbollisti. Interesimi është real për të transferuar këtë sulmues, por problem mbetet situata e tij te Olimpiakosi. Kontrata përfundon në 1 korrik të këtij viti dhe skuadra greke nuk kërkon që ta falë prodhimin e saj, ndërsa Roma po studion gjithçka për të vepruar në momentin e duhur. /Sport Ekspres/