Të gjithë e kujtojnë atë finale të Botërorit të vitit 2006 që pa përballë njëra-tjetrës Italinë dhe Francën. Një ndeshje që u vendos nga pika e bardhë e penalltive, ndërsa shenjoi edhe një moment të hidhur në karrierën e Zinedin Zidan. Por ajo godditje me kokë ndaj Materazit, që e nxorri përpara kohe me karton të kuq nga loja, nuk është harruar ende nga mbrojtësi Italian.
Ish-futbollisti i Interit ka zbuluar së fundi edhe fjalët e dala nga goja e tij, të cilat e shtynë një lojtar si Zidan të dalë nga vetja e tij dhe të bëjë një gjest që nuk i ka aspak hije figurës së tij. Gjithashtu Materazi tregon se nëse do të përballej sërish me të në një ndeshje legjendash mes Italisë dhe Francës, atëherë do të ishte mirë që të merrte rolin e trajnerit, pasi në fushë do të fluturonte gjaku.
“I thashë: “Nuk dua fanellën tuaj, preferoj **** e motrës tënde” … Dhe kështu shkoi. Asnjëherë nuk kam menduar se mund të ndodhte një reagim i tillë. Fati im është që nuk e kuptova, përndryshe duke e njohur veten do të kisha reaguar dhe do të isha larguar edhe unë me karton të kuq gjithashtu. Nëse do të takohesha përsëri me të? Jo, jo. Në fakt, unë vetëm e komplimentoj atë për punën e bërë si trajner. Në një ndeshje hipotetike mes legjendave Itali-Francë nuk luaj, në rastin më të mirë jam trajner, përndryshe do të fluturojë gjaku”, ka deklaruar ish-kampioni i botës me Italinë, Marko Materazi./Sport Ekspres/