Florian Kamberi u tregon zviceranëve: Gerrard është fans i madh i imi, më tha se më ndiqte prej 1 viti e gjysmë

Steven Gerrard ka një vlerësim të jashtëzakonshëm për Florian Kamberin. Gjithmonë kemi dëgjuar fjalët më të mira nga ana e tij për sulmuesin shqiptar. Të përsëritura dhe të përsëritura në konferencat për shtyp, me një optimizëm të madh për vlerën që ka treguar lojtari i Shqipërisë.

Nga ana tjetër, edhe vetë Kamberi tregon marrëdhënien e veçantë që ka me trajnerin e Rangersit. Në një intervistë të dhënë për prestigjozen zvicerane “Blick”, futbollisti është shprehur edhe disi i zhgënjyer për faktin që nuk mund të luante ndaj Celtic, për shkak se kampionati u pezullua nga Koronavirusi.

“Do të ishte ndeshja më e madhe e karrierës sime ajo kundër Celtic. Do të kisha luajtur për herë të parë një “Old Firm”. Më ka bezdisur shumë fakti që nuk u luajt, por ka disa gjëra më të rëndësishme se futbolli. Gerrard më tha se më kishte ndjekur për 1 vit e gjysmë. Ai është vërtet një fans i madh i imi.

Por nga ana tjetër edhe unë kam një respekt të madh për të. Gerrard ka një karrierë botërore, kështu që mund të përvetësosh shumë prej tij. Si një njeri, është në klasin e zakonshëm gjithashtu, duke u kujdesur shumë për ne lojtarët.

Gerrard vlerëson dinamizmin tim dhe se unë mund t’ia përcjell shokëve të mi dhe të ngre tifozët e skuadrës me energjinë time. Dua të rrij gjatë te Rangersi”, ka thënë Kamberi. /Sport Ekspres/