Skënder Gega zyrtarizoi firmën e tij në kampionatin e Jordanisë disa ditë më parë, duke nisur kështu një tjetër eksperiencë të re në karrierën e tij. Pasi i dhuroi pas shumë vitesh titullin kampion Partizanit sezonin e shkuar, Gega e ngriti emrin e tij lart dhe mori vlerësimet e të gjithëve. Megjithatë as “demat e kuq” atëherë dhe as Kukësi pak kohë më parë nuk vendosën t’i jepnin timonin e ekipit të tyre, duke bërë që e ardhmja të jetë në Jordaninë e largët, ku do të drejtojë ekipin e Al Faisaly.
Gega ka vendosur që menjëherë të krijojë edhe raportin e tij me lojtarët, ku duke marrë shkas nga situata e liundur prej pandemisë Covid-19, u ka shkruar një letër futbollistëve që do të ketë në urdhërat e tij kur të fillojë sezoni. Vetë klubi i ka shpërndarë fjalët e trajnerit shqiptar, që i këshillon lojtarët e tij fillimisht për të pasur shëndet të plotë e për tu kujdesur për familjarët e tyre, ndërsa me besim të plotë u shkruan se gjërat do të funksionojnë mes tyre dhe shprehet optimist se rrugëtimi i tyre do të nisë shumë shpejt./Sport Ekspres/
Letra e Skënder Gegës
Të dashur lojtarë,
Në këtë situatë të vështirë për të gjithë dua t’ju uroj ju, familjeve tuaja dhe miqve shëndet dhe siguri. Si trajneri juaj i ri në këtë klub doja të kontrolloja dhe të sigurohesha se ishit të gjithë mirë. Në një kohë si kjo është thelbësore të kujdeseni për veten dhe familjet tuaja. Në të njëjtën kohë duhet të jemi optimistë se me ndihmën e Zotit gjërat do të kthehen në normalitet së shpejti. Megjithëse e di që nuk është e lehtë, ju nxis të gjeni një mënyrë për të qe në formën më të mirë fizike gjatë kësaj periudhe. Do të doja të ishim në fushë së bashku për tu stërvitur fort me besimin që të takojmë objektivat dhe pritshmëritë e klubit dhe të tifozëve. Ju lutem sigurohuni që të kujdeseni për shëndetin tuaj dhe të mbani një regjim të fortë, sepse besoj se do t’i nisim sfidat tona shumë shpejt. Me solidaritet dhe me optimizëm të madh besoj se gjërat do të funksionojnë. Ju uroj më të mirat.