Marrin avionin dhe ia mbathin nga Italia! Juventusit i ikin lojtarët, rasti i Higuanin për jeta a vdekje

Juventusi është i gjithi në karantinë pas lajmit se mbrojtësi i tyre, Daniele Rugani, rezultoi pozitiv në testin për Koronavirus. Por Italia nuk duket vendi më i sigurtë për lojtarët bardhezi, që tashmë kanë nisur një e nga një të largohen prej aty e të drejtohen në vendlindjet e tyre. I pari që ka “braktisur” Torinon është Gonzalo Higuain. Sapo ka mësuar se rezultati i testit të tij për Covid-19 ishte negativ, sulmuesi argjentinas i ka kërkuar klubit të shkojë në vendlindjen e tij dhe kjo për një arsye të fortë. Nëna e Higuain është diagnostikuar me kancer e për këtë arsye lojtari dëshiron t’i qendrojë pranë, ndërsa Juventusi ia ka plotësuar dëshirën duke i siguruar një fluturim për në argjentinë.

Por Higuain nuk është i vetmi i larguar, teksa futbollistë të tjerë të “Zonjës së Vjetër” kanë marrë avionin e ia kanë mbathur nga Italia. Rodrigo Bentacur drejt Argjentinës, Miralem Pjanic drejt Bosnje-Hercegovinës apo edhe Khedira në Gjermani janë bardhezinjtë e tjerë që duket se nuk ndihen të sigurtë në Itali në këto momente dhe kanë vendosur të largohen sa më shpejt pasi kanë marrë përgjigjen e analizave për Covid-19. Lajmin e përcjell “La Gazzetta dello Sport”, që njofton gjithashtu se klubi i Juventusit ka dhënë dritën jeshile për një veprim të tillë./Sport Ekspres/