Zllatan Ibrahimoviç është një nga figurat më të njohura dhe më karizmatike të futbollit. Suedezi, i cili iu ribashkua sërish Milanit në merkaton dimërore, ka vendosur të japë kontributin e tij për luftën kundër Koronavirusit. Qyteti i Milanos është edhe ndër më të prekurit nga kjo pandemi dhe Ibra nuk ka ndërmend të rrijë duarkryq, pasi ashtu siç edhe vetë futbollisti thotë Italia i ka dhënë atij vërtet shumë e për këtë arsye sulmuesi i kuqezinjve do t’ia kthejë gjithça mbrapsht.
Kështu, Ibrahimoviç ka ngritur një fondacion nga i cili do të sigurojë të ardhura për të ndihmuar spitalet në këto momente të vështira, duke shfrytëzuar këtu edhe popullaritetin e tij. Plot 120 mijë euro janë grumbulluar pas vetëm 4 orësh që nga krijimi i fondacionit, ndërsa synimi është 1 milion euro. Është vetë futbollisti që e zbulon këtë nismë të tij, ku nuk mungon të tregojë edhe karakterin e tij të veçantë, teksa shprehet se nëse virusi nuk shkon te Zllatan, atëherë është vetë ky i fundit që shkon te virusi.
“Italia më ka dhënë shumë kaq shumë dhe në këtë moment dramatik dua t’ia kthej mbrapsht akomë më shumë këtij vendi që e dashuroj. Së bashku me personat që punojnë me mua kam vendosur të krijoj një fondacion për spitalet humanitare dhe të përdorë fuqinë time të komunikimit për të ndarë më gjerësisht mesazhin. Mbështetem në bujarinë e kolegëve të mi, të gjithë atletëve profesionistë, dhe të gjithë atyre që duan të bëjnë një dhurim të vogël apo të madh në varësi të mundësive të tyre, në mënyrë që ta zhdukim këtë virus. Dhe mbani mend: nëse virusi nuk shkon te Zllatan, është Zllatani ai që shkon te virusi”, ka bërë të ditur Ibrahimoviç./Sport Ekpres/