Një tifoz i veçantë për Tiranën është padyshim Muhamed Zalta. Bardheblutë kanë shumë mbështetës si klub, por padyshim që rasti në fjalë meriton një vëmendje më të madhe. Zalta e ka ndjekur dhe dashuruar këtë klub prej 58 vitesh, duke mos e tradhëtuar dhe braktisur për asnjë ditë të vetme.
Në këto kohë po e ndien më së shumti vuajtjen pa futboll, pasi Tirana gjendej në vendin e parë dhe pritet me padurim shpallja kampion. Në një intervistë për “Sport Ekspres”, Zalta na tregon edhe pak nga derbi i fundit i fituar ndaj Partizanit. I habitur ishte nga fakti se për Tiranën kishin ardhur shumë tifozë nga rrethet, madje që e përjetonin takimin. Ndërkohë jep edhe një mendim për zgjidhjen e kampionatit në këto kushte anormale, për të vazhduar me 4 vendet e para garën e Europës dhe kreut, ndërsa kjo do e nxirrte Partizanin jashtë loje, pasi ndodhet në vendin e 6.
“Derbi i fundit me Partizanin ka qenë dramatike fare. Kemi ngrënë dynjanë vetëm për t’u futur në stadium. Kam përjetuar vërtet shumë emocione në atë ndeshje. Tifozlliku më i madh nga ana jonë është bërë tek penalltia e parë që u shënua nga Batha dhe te goli i pestë i Ernest Muçit. Tani me këtë gjendjen e Koronavirusit, do të ishte më mirë që të bëhej kampionati me katër vendet e para, me ato pikë që kanë.
Kurse ndeshja më emocionuese që kam përjetuar ka qenë në vitin 1970 kur barazoi Ben Cela në fund të ndeshjes. Kam qenë 10 vjeç atëherë dhe më atë barazim ka dalë Tirona kampion. Më habiti fakti që aty ku isha unë kishte shumë tifozë të Tiranës që kishin ardhur nga rrethet, sidomos nga Shijaku, Lushnja dhe Korça. Ata bënin tifozllik për Tironën sikur të ishin tifoza të hershëm. Më kanë uruar nga e gjithë bota për atë ndeshje se kam shumë shokë larg”, tha Muhamed Zalta. /Sport Ekspres/