Ligji i sponsorizimeve do të ndihmonte shumë futbollin shqiptar dhe në Vlorë pritej si një shpëtim për të rritur sadopak të ardhurat e klubit. Teksa miratimi pritej që të bëhej që para inagurimit të “Air Albania”, historia do të stërzgjatej për t’u shtyrë në janar.
Më pas në qeveri do të hartonin një tjetër plan, që kishte ndryshim rrënjësor me atë të kërkuar nga ana e FSHF-së për interesin e klubeve shqiptare. Ndërkohë i ftuar në emisionin “Pressing” të “ABC Neës”, Duka tregon se Ahmetaj ka dalë kundër këtij vendimi për miratimin e ligjit të sponsorizimeve, ndërsa kryeministri Rama ishte “pro” tij.
“Ligji i Sponsorizimit? Ligji i sponsorizimeve është thelbësor. Ka shumë debate brenda Qeverisë, ata mendojnë se ajo që ne kemi propozuar, do t’iu kushtojë shumë, por nuk është e vërtetë. Ka pasur debate në qeveri, kanë ardhur me një propozim të ri. Për privatizimet, ndihmën në investime, TVSH-në në sport, tatimin mbi të ardhurat e futbollistëve, por rregullohen, por bëhen ashtu siç i kemi kërkuar.
Kemi fituar disa gjëra. Në ligjin e sponsorizimit, kryeministri ka qenë me ne, Ministria e Financave ka qenë kundër dhe Komisioni i Ekonomisë, me në krye të Arben Ahmetajn. Ai ka qenë kundër me pretekstin që zbrazet buxheti i shtetit dhe shkojnë paratë për sportin. Ata pretendojnë se ka kosto të madhe në buxhet, argumentojnë se ajo që kemi propozuar ne, është buxhet i madh, por nuk është e vërtetë.
Ligji aktual, është miratuar në ’94 mos gaboj dhe nga atëherë, deri më tani, ka pasur zero ndikim. Tani do të ketë ndikim 3 x zero, që është njësoj. Ben Ahmetaj ka qenë kundërshtari kryesor për Ligjin e Sponsorizimit, pasi sipas atij, sporti do të zerojë buxhetin e shtetit.
Tani do kemi trefishin e zeros, e kemi humbur betejën në ligjin e sponsorizimeve. Po flasim për një projekt të madh, kemi thënë që deri në 20% të fitimit të Korporatave të shkojë për sport, por jo zero. Sot janë zero investime të planifikuara në buxhetin e shtetit. Investime janë bërë, janë bërë stadiume, por sporti ka nevojë për ligj. Ukraina? Di atë të Hungarisë, që më pëlqen”, u shpreh Duka. /Sport Ekspres/