Vllaznia e ka një problem serioz faktin se nuk është e privatizuar, por ende në duart e bashkisë. Kjo e fundit luan shpeshherë me fatin dhe emblemën e një klubi me shumë histori në elitën e futbollit shqiptar. Gjatë ditës së sotme ishte planifikuar një mbledhje e Asamblesë së Përgjithshme të klubit të futbollit Vllaznia. Në këtë diskutim do të miratohej buxheti i klubit për vitin 2020, por do të prekeshin edhe të tjera tema që lidheshin me ekipin shkodran.
Asgjë e re ndërsa mbledhja nuk është zhvilluar, duke u shtyrë për ditën e martë të javës që vjen. Anëtarët e Asamblesë, që janë njëkohësisht edhe anëtarë të Këshillit Bashkiak, duket se nuk kanë shkuar në mbledhje për të treguar edhe një herë papërgjegjshmërinë totale në lidhje me këtë çështje të rëndësisë së lartë, ndërsa paradoksalisht objektivat e skuadrës lidheshin edhe me Europën./Sport Ekspres/
Njoftimi i klubit:
Paraditen e sotme ishte planifikuar zhvillimi i mbledhjes së Asamblesë së Përgjithshme të Klubit të Futbollit Vllaznia, e cila kishte si pikë kryesore miratimin e projekt- buxhetit të këtij klubi për vitin 2020 si dhe diskutime të ndryshme. Kjo mbledhje nuk është zhvilluar pasi është shtyrë për ditën e martë të javës që vjen, pikërisht në orën 12.00 teksa kryetarja e Këshillit Bashkiak Brisela Kadija ka bërë të ditur se do të ketë një kordinim të mbledhjes së Asamblesë së Klubit të Futbollit Vllaznia me atë të Këshillit Bashkiak Shkodër.