Ekskluzive/ Lampard thërret Armando Brojën kundër Liverpoolit, gati debutimi i shumëpritur

Pritjes tashmë i erdhi fundi. Armando Broja merr ftesën në ekipin e parë të Chelseat. Paraqitjet e jashtëzakonshme me të gjitha ekipet e moshave dhe golat e vazhdueshëm i janë shpërblyer sulmuesit shqiptar. Një ftesë nga Lampard kishte kohë që përflitej nga mediat angleze.

Trajnerit të bluve të Londrës me sa duket i ka pëlqyer ajo çfarë ka parë në “Stamford Bridge” fundjavën e shkuar, ku në çerekfinalen e FA Cup mes Chelsea U-18 dhe Millwall U-18 ishte pikërisht Broja që do të vendoste fatin e takimit. Një gol me roveshatë, që të kujton Ronaldon, u mohua nga arbitri, ndërsa tjeri që do të mbante firmën e shqiptarit do të zgjidhte edhe ndeshjen.

Kështu, Lampard nuk ka pritur më gjatë për ta afruar Brojën me ekipin e parë. Burime të sigurta të “Sport Ekspres” konfirmojnë se futbollisti 19-vjeçar i është bashkuar grupit të lojtarëve të ekipit A, me të cilët është grumbulluar në hotelin ku do të qendrojnë yjet londinezë. Kështu Broja do të jetë nën urdhërat e Lampard për ndeshjen e nesërme që Chelsea luan në FA Cup me një kundërshtar të rëndësishëm si Liverpooli i Kloppit./Sport Ekspres/

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *