Idris Batha ishte njeriu i ndeshjes në derbin e mbrëmshëm mes Tiranës dhe Partizanit. Dy penallti të konvertuara në gol prej tij në pak minuta sollën edhe revanshin e bardhebluve. Një lojtar që ka luajtur më parë me fanellën e kuqe të rivalëve të përjetshëm të Tiranës, por që sa herë ka gjetur rrugën e rrjetës kundër ish-skuadrës së tij nuk ka nguruar të festojë.
Një gjë e tillë padyshim që nuk i pëlqen aspak tifozëve të Partizanit, të cilët nuk e kanë pritur mirë as kalimin e tij nga “demat e kuq” në radhët e Tiranës. Por të gjithë harrojnë një fakt kur vjen puna për Bathën, pasi lojtari ka lindur nga akademia e Tiranës dhe një rikthim te ta nuk mund të konsiderohet tradhëti. Një fakt ky që vetë futbollisti nuk ka preferuar ta thojë për të mos krijuar polemika mes tifozëve, megjithëse Nevil Dede ia vë në dukje një gjë të tillë. Në momentin kur Batha u prononcua pas derbit për “Supersport”, ish-futbollisti i njohur i Tiranës i ka shprehur edhe kritikën mesfushorit bardheblu.
“Urime për lojën dhe golat, por kam edhe kritika për ty. E para njëherë se diskutohet edhe për Partizanin, por t’i duhet ta thuash që ke dalë nga Tirona, nga akademia e kësaj skuadre. Pra je lojtar dhe prodhim i këtij klubi”, ishin e fjalët e Nevil Dedes drejtuar Idi Bathës ndërsa ky i fundit e ka kaluar duke thënë se kjo lëvizje nuk ishte fundi i botës dhe se nuk ishte rasti i parë dhe i fundit që ndodhte./Sport Ekspres/