Angelo Ndrecka iu bashkua grupit të lojtarëve shqiptarë të Lazios verën e shkuar, duke kaluar fillimisht me të rinjtë e klubit. Pas një periudhe mjaft të mirë me Kievon e Veronës, me të cilët edhe debutoi në Serie A, mbrojtësi kuqezi nuk e mendoi dy herë kalimin te bardhekaltrit. Këtë gjë e konfirmon edhe vetë Ndrecka në një prononcim për mediat në Itali, ku shton se shpreson që minutat me ekipin e parë të vijnë edhe me fanellën e Lazios. Gjithashtu shprehet edhe për marrëdhënien me lojtarët e tjerë shqiptarë, me të cilët së bashku me djalin e Igli Tares ka krijuar një lidhje të menjëhershme.
“Me Atalantën do tëjetë një ndeshje interesante, por takimi u shty. Po shpresoja që të luaja pas skualifikimit të Falbos. Kievo Verona është një familje për mua, ku bëra edhe debutimin në Serie A. I detyrohem gjithçka klubit verdheblu. Ditën e debutimit isha paksa i hutuar në kokën time. Deri në momentin kur Di Carlo publikoi formacionin unë nuk kisha kuptuar asgjë. Shpresoj të jem në gjendje të përjetoj sërish një eksperiencë të ngjashme me Lazion.
Pas Juventusit ky është klubi që ka fituar më shumë. Të zgjidhja bardhekaltrit ishte shumë e lehtë, pranova menjëherë. Refuzimi do të ishte një çmenduri. Ishte edhe mundësia e rinovimit me Kievon, por unë i thashë menjëherë po transferimit në kryeqytet. Këtu gjeta Kalajn dhe Shotin. Alia dhe Armini janë gjithashtu pjesë e “grupit të vogël”, por dhoma e zhveshjes është tërësisht e bashkuar dhe kompakte. Të katër ata dhe me Etien Taren janë të parët me të cilët u lidha”, ka rrëfyer Angelo Ndrecka./Sport Ekspres/