Besëlidhja po quhet ndryshe edhe si hirushja e Kupës së Shqipërisë. Kjo pasi nuk është pak që të eliminosh kampionët në fuqi të Shqipërisë, Partizanin. Pas fitores me rezultatin 3-0 në ndeshjen e parë në shtëpi dhe humbjes në transfertë me shifrat 3-1, Besëlidhja ka shkuar në fazën tjetër.
Por Elvis Plori ka qenë si një orakull i vërtetë për të parashikuar fundin e Partizanit në këtë Kupë. Për ta nisur që me ndeshjen paaradhëse, teksa në fazën e mëparshme i ka karikuar të tijët me faktin se do të kenë përballë të kuqtë.
Për të vazhduar më tej me atë fitore në shifrat 3-0 në përballjen e parë, që i hapi rrugën kualifikimit të Besëlidhjes. I kënaqur, duke festuar dhe pa pasur asnjë frikë të vetme në sytë e tij për një përmbysje të rezultatit.
Kjo ishte ajo që lexohej te Plori, për të treguar se nuk po bëhej fjalë për një rastësi. E kur ishte fjala për ndeshjen e dytë, trajneri i Besëlidhjes e tha saktësisht: “Jam i sigurt se do ta eliminojmë Partizanin. Ne do të shkojmë atje që të shënojmë një gol, nuk do vemi vetëm që të mbrohemi”. Ashtu edhe do të rezultonte, ku nëse Besëlidhja nuk do të shënonte, atëherë do të përfundonte në shtëpi. E kjo është situata, atje ku një trajner shqiptar merr më shumë sesa një italian, megjithëse mbrapa kishte “artilerin” e ekipit kampion. /Sport Ekspres/