Paraqitjet e Partizanit në javët e fundit nuk kanë qenë ato që të gjithë tifozët e kuq do të donin të shihnin. Shumë do e quanin ekipin kryeqytetas si të dalë nga gara për titull, duke parë formën e Tiranës e të Kukësit. Por ashtu siç do të shprehej edhe Trashi, 7 pikë është një diferencë e rikuperueshme. Derbi dhe ndeshjet e mbetura deri atëherë mund të vijnë si një varkë shpëtimi për Sormanin.
Ka qenë pikërisht ndeshja mes dy klubeve të kryeqytetit, që ka shpëtuar njërin nga kriza për të dërguar tjetrin drejt saj. Duke besuar në përsëritjen e këtij rotacioni, Partizani duhet të bëjë detyrën në dy ndeshjet e radhës përpara derbit, në të ciln do të vendoset shumë për këtë sezon. Trajneri Sormani do të deklaronte se tashmë ekipi po gjen ekuilibrat dhe se fakti që tashmë për herë të parë do të ketë 1 javë kohë për të përgatitur ndeshjet do të jetë një faktor plus për të vijuar drejt objektivit të këtij sezoni. Përveç dy fitoreve të fundit në kampionat edhe kalendari i rrit shpresat e Partizanit.
Përpara se të masin forcat me rivalët e qytetit, të kuqtë do të kalojnë testin me Laçin në transfertë dhe me Bylisin në shtëpi. Ndërkohë bardheblutë e Tiranës do të presin fillimisht Skënderbeun për të shkuar më pas në përballjen e vështirë me Kukësin, nga e cila Sormani fërkon duart për të zvogëluar diferencat në renditje. E nëse bejnë gjithçka mirë, atëherë Partizanit i duhet të luajë çdo gjë në derbi, të cilin e ka treguar për 5 vite rresht se nuk e ka të vështirë të dalë me 3 pikë nga fusha. Një fitore që nëse do të përmbushet edhe këtë herë “profecia” e derbit, do të sillte daljen nga kriza për Partizanin për t’ia kaluar këtë të fundit Tiranës./Sport Ekspres/