Në kampin e Barcelonës situate nuk është aspak e qetë. Rezultatet e dobëta në fushën e lojës dhe nëvoja për sulmues nuk janë të vetmet probleme për katalanasit. Këta të fundit po hasin probleme edhe brenda tyre, me Messin dhe Abidal që ishte rasti i fundit që patën përplasje me njëri-tjetrin. Kjo bëri që numri një i Barcelonës, Bartomeu, të zhvillonte një mbledhje për të sqaruar këtë çështje, ndërsa me qendrimin e mbajtur prej tij duket se dëshiron vetëm të qetësojë gjërat, duke mos larguar Abidal siç disa media bënë me dije. Por më parë ylli argjentinas ka pasur një konflikt verbal edhe me portierin Ter Stegen, të cilën e zbulojnë mediat në Spanjë.
Ndërkohë Messi duket të jetë kthyer kundër të gjithëve në ekip, teksa sipas asaj që raporton “El Chiringuito” kapiteni i Barcelonës sheh si zgjidhje të krizës së klubit largimin e presidentit Bartomeu. Në të kundërt mund të jetë ai vetë që do të lërë skuadrën katalanase pas shumë vitesh. Zgjedhjet e ardhshme presidenciale për klubin e Barcelonës do të mbahen në vitin 2021, atëherë kur edhe kontrata e argjentinasit përfundon. Media spanjolle raporton se Messi nuk ka ndërmend të rinovojë dhe nëse Bartomeu nuk largohet nga roli i presidentit , atëherë ai që do të largohet do të jetë 6 herë i Topit të Artë./Sport Ekspres/