Fiorentina akuzon rëndë Juventusin: U ndihmua nga arbitrat! Paguajnë 350 milionë euro, nuk ia kanë nevojën

Juventusi ka marrë fitoren e radhës kundër Fiorentinës ditën e sotme. Ndeshja përfundoi me shifrat 3-0, ndërsa gjithçka e vendosi Ronaldo me dy penalltitë e kthyera në gol e më pas De Ligt do të shënonte golin e fundit në shtesën e takimit. Por presidenti i Fiorentinës, Rocco Commisso, është shprehur i pakënaqur në fund të ndeshjes me arbitrimin. Ky i fundit ka pasur rezerva sa i përket penalltive të dhënë për bardhezinjtë, për të cilët thotë se nuk u nevojiten dhurata nga gjyqtarët.

“Besoj se Juventusi, i cili është një ekip që paguan 350 milion euro për lojtarët e tij, nuk ka nevojë për ndihmën e arbitrave. Le të fitohen dhe humben ndeshjet në fushë, jo nëpërmjet dhuratave që arbitrat bëjnë. Penalltia e parë mund të jepet, e dyta jo. Kam qenë këtu për 7 muaj dhe kurrë nuk kam folur për gjyqtarët, por sot do e bëj.

Jam i zhgënjyer nga ajo çfarë pashë sot, por gjithashtu edhe nga çfarë pashë javën e shkuar me Genoa-n apo me Interin. Nuk mund të vazhdojmë kështu. Nuk është e drejtë që futbolli italian të jetë në këtë mënyrë, sepse futbolli ynë shihet në të gjithë botën. Nuk mund të vazhdojmë kështu, me këto ndeshje që vendosen nga arbitrat”, ka deklaruar presidenti i Fiorentinës, Commisso./Sport Ekspres/

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *