Frederik Veseli mund të shfrytëzojë këto ditë të fundit të merkatos për të gjetur klubin e tij të ri. Pasi u përfol në mediat përtej Adriatikut se Bari, që aktualisht luan në Serinë C, kishte shfaqur interes për mbrojtësin kuqezi, tashmë një pistë e re ka dalë në dritë. Bëhet fjalë për klubin e Trabzonsporit në elitën e Turqisë, pjesë e së cilëve është edhe ish-sulmuesi i Partizanit Caleb Ekuban.
Sipas mediave turke Veseli është vetëofruar për këtë transferim. Një kalim i futbollistit shqiptar drejt Turqisë u përfol edhe gjatë verës, por ishte vetë lojtar që refuzoi pasi kërkonte oferta nga një ligë më e fortë se ajo turke. Megjithatë gjërat kanë ndryshuar, me Trabzonsporin që është vënë në kërkim të një emri për të përforcuar prapavijën dhe me Veselin që momentalisht luan në Serinë B të Italisë e që nuk dëshiron të hedhë hap pas në karrierë për të zbritur një ligë më poshtë me skuarën e Barit./Sport Ekspres/