Partizani do të ndeshet ndaj Kukësit, në kryendeshjen e kësaj jave në Superiore. Të dyja skuadrat vijnë pas rezultateve jo shumë të kënaqshme, ndërsa të kuqtë humbën me shifrat 3-2 ndaj Skënderbeut.
Shumë kritika erdhën për Sormanin edhe nga Starova, që u shpreh se nuk arriti të vendoste ekuilibrin e skuadrës në lojë, pavarësisht se e njihte edhe nga eksperienca e mëparshme. Në konferencën e sotme për shtyp para ndeshjes me Kukësin, trajneri italian ia kthen thjeshtë replikën duke kujtuar se Skënderbeu nuk gjuajti në portë për 40 minuta.
“E respektoj mendimin e një trajneri. Ajo që dua të them që është se në 40 minutat e para me Skënderbeun nuk morëm asnjë goditje në portë. Mendoj se nuk kemi pasur probleme ekuilibri. Në pjesën e dytë ishim me një lojtar më pak dhe tentuam të shënonim gol dhe aty mund të kemi pasur disa hapësira prapa.
Çfarë duhet të them për arbitrin unë? Unë jam këtu për të gjykuar skuadrën time dhe për ta përmirësuar atë. Për t’u kthyer te ndeshja, bëmë një ndeshje të mirë për 40 minuta dhe me pak fat edhe mund ta kishim fituar atë. Për këtë arsye nuk kam çfarë them për arbitrin.
Sa i përket ndeshjes me Kukësin, pres gjithmonë të fitoj, pavarësisht lojtarëve që kam në dispozicion. Skuadra do të bëjë të më mirën për të fituar. Unë njoh vetëm një tip futboll, ai që të luajmë si një skuadër e vërtetë. Nëse luhet me intensitet, me agresivitet, mund të vësh në vështirësi çdo ekip”, tha Sormani. /Sport Ekspres/