Gentian Mezani është duke vazhduar punën te Gjilani, atje ku ka marrë vlerësime të mëdha. Jo më kot pasi pakkush e priste këtë skuadër që të luftonte për titullin kampion. Në këtë rast meritat shtohen dyfish pasi skuadra është krijuar tërësisht nga trajneri shqiptar.
Në merkaton e verës do të transferonte shumë prej lojtarëve të Superiores, për të ndërtuar skuadrën që aktualisht renditet në vendin e dytë në elitën e futbollit në Kosovë. Një përforcim i ri vjen për Gjilanin dhe këtë herë në staf.
Sipas asaj që raportojnë mediat në Kosovë, përgatitës atletik te ekipi i Gentian Mezani do të jetë i njohuri Corrado Saccone. Ai ka punuar edhe te Napoli në kohën që drejtohet nga Benitez, për të përgatitur yje si Kavani, Higuain, Hamshik dhe shumë emra të tjerë të njohur. Gjithashtu do të vinte për një periudhë të konsiderueshme edhe te Partizani, ndërsa në media gjatë asaj aventure në Shqipëri u përfol se e kërkonte Milani në staf. /Sport Ekspres/