“E di që keni probleme më të mëdha”/ Skandalet në KOKSH, Bezhani i dërgon letër Edi Ramës

Prej disa kohësh KOKSH, Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar, është në një situatë shumë delikate dhe kaotike. Presidenti i saj, Viron Bezhani, ka denoncuar sjelljen e pahijshme që ka bërë sipas tij sekretari Stavri Bello që ka qenë përgjatë kësaj kohe në detyrë, për të përfituar shuma monetare dhe për të vepruar në emër të këtij Komitetit, shpeshherë edhe pa autorizim.

Por pavarësisht gjithë kësaj zhurme, asnjë reagim nuk ka ardhur për zgjidhjen e situatës. Denoncimet e kryera herë pas here nga Bezhani kanë mbërritur të faktuara edhe në Prokurori. Këtë herë “Sport Ekspres” ka siguruar një letër që presidenti i KOKSH-it i ka drejtuar Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Ramës, megjithëse është i ndërgjegjshëm se ky rast mund të mos shihet si prioritet përpara problemeve të tjera që ka numri një i vendit tonë. /Sport Ekspres/

Letra e plotë

Drejtuar

Kryeministrit të RSH SH.T.Z. Edi Rama.

Kryetarit të Kuvendit të RSH Z. Gramoz Ruçi.

Ministrit të Arsimit dhe Sportit dhe Rinisë Znj. Besa Shahini.

Zv. Ministrit të Arsimit dhe Sportit dhe Rinisë Z.Kostandin Shkurti.

 

I Nderuar Z. Kryeministër,

Të nderuar,

Në cilësinë e Presidentit të KOKSH ju drejtohem me një letër të hapur e cila është një adresim i situatës dhe gjithashtu një kërkesë për të pasur në konsideratën tuaj situatën aktuale në KOKSH dhe problematikat në vijim.

Aktualisht në KOKSH ka një situatë problematike dhe të papreçedentë. Kjo situatë lidhet me ligjshmërinë e këtij institucioni, zbatimin e ligjit dhe Statutit dhe akteve të tjera nënligjore nga Ish Sekretari Z. Stavro Bello dhe nga disa anëtarë të Komitetit Ekzekutiv të KOKSH.

Në cilësinë e Presidentit të KOKSH kam kërkuar transparencë në punën e KOKSH dhe në çdo rast kam pasur si synim interesin më të lartë të sportit dhe sportistëve dhe përfaqësimit të vendit tim në akivitete sportive në mënyrën më të mirë dhe dinjitoze.

Në përpjekjet e mia për transparencë, zbatim të ligjit dhe ndjekjen e parimeve olimpike të fair play, kam hasur në një situatë tërësisht anormale nga Ish Sekretari Z. Stavro Bello, i cili ka uzurpuar institucionion, vulën dhe financat e KOKSH duke tentuar të mbulojë abuzimet e tij financiare të mëparshme. Konstatohet lehtësisht se ish Sekretari i KOKSH Z. Stavro Bello ka kryer abuzime me detyrën dhe abuzime financiare, ka kryer sjellje tërësisht të papërshtatshme dhe që nuk ka asnjë lidhje me lëvizjen olimpike. Lidhur me këto abuzime i jam drejtuar Prokurorisë e cila ka regjistruar çështjen dhe është duke kryer hetime.

Ndërkohë, situata vijon e nderë pasi Ish Skeretari i Përgjithshëm Z. Stavro Bello ka uzurpuar zyrat, vulën e institucionit, kodet e emaileve të komunikimit zyrtar të KOKSH, dhe të gjithë dokumentacionin zyrtar të KOKSH. Në këto kushte unë si President kam marrë masat përkatëse lidhur me kallzimet penale për këto veprime dhe gjithashtu shkarkimin e ish Sekretarit Z. Stavro Bello nga detyra, vendim i marrë nga Komiteti Ekzekutiv i KOKSH.

Në situatën ku ndodhemi kërkoj t’ju rendis disa nga shkeljet e konstatuara në punën e Ish Sekretari të Përgjithshëm Z. Stavro Bello gjatë detyrës së tij. Këto shkelje janë konstatuar nga audituesi i jashtëm i KOKSH dhe theksoj se ky auditim është kryer vetëm mbi dokumentacionin që vetë Z. Stavro Bello i ka depozituar audituesit, ndërkohë që theksoj se shumë dokumenta janë fshehur për të mbuluar dhe manipuluar shkeljet e shumta nga ky individ. Dua të sqaroj se në këtë rast këto veprime të Ish Sekretarit të Përgjithshëm Z. Stavro Bello janë mbështetur nga punonjësit e administratës, Zv. Presidentit Vojo Malo dhe Thesaristit z. Genc Boga.

Po ju sqaroj disa nga shkeljet e konstatuara nga auditi:

  1. Rivlerësimi i mjeteve monetare nuk është bërë në kohën e duhur duke sjellë efekte financiare dhe duke përbërë si shkelje në vetvete ashtu edhe dëmtim të KOKSH.

 

  1. Protokolli, mbajtja e protokollit është kryer në shkelje të nenit 56 të Rregullores së KOKSH.

 

  1. Proçedurat e transfertave të kryera nga llogarite e KOKSH janë kryer në shkelje të Stautit dhe Rregullores. Qartësisht këto transferta duhet të kryhen të autorizuara nga Presidenti, ndërkohë që janë kryer pa autorizim nga Sekretari Z. Stavro Bello. Ndërkohë që sipas nenit 27 të Statutit të KOKSH Sekretari ka të drejtë të ekzekutojë pagesa apo të kryejë veprime financiare vetëm me qëllime administrative. Në këtë rast Ish Sekretari Z. Stavro Bello ka kryer të gjithë transferimet, pa urdhëra dhe autorizime përkatëse, pa dokumentacion justifikues dhe pa ndjekur dhe zbatuar asnjë proçedurë financiare dhe ligjore.

 

  1. Shpenzimet për Bursat e Sportistëve dhe Dietat. Këto shpenzime janë kryer pa një vendim apo autorizim nga Komiteti Ekzekutiv, këto pagesa janë kryer në shkelje të ligjit Shqiptar, nuk janë sigluar nga përfituesi dhe nuk kanë dokumentacion shoqërues justifikues, duke pas sjellë një situatë abuzimi dhe shpërdorimi të detyrës nga ana e Ish Sekretarit të Përgjithshëm Z. Stavro Bello.

 

  1. Shpenzimet për pagat e personelit. Ish sekretari i përgjithshëm Z. Stavro Bello ka rritur pagat e punonjësve pa një vendim të Komitetit Ekzekutiv. Konkretisht në këtë rast pagat janë rritur në masën 35% ndërkohë që për rritje pagash ka vetëm një vendim të Komitetit Ekzekutiv në masën 10%. Ky fakt tregon qartë abuzimin dhe shpërdorimin e detyrës nga ana e Ish Sekretarit të Përgjithshëm të KOKSH Z. Stavro Bello.

 

  1. Shpenzimet për telefona. Qartësisht Ish Sekretari i Përgjithshëm ka abuzuar duke kryer pagesa tërësisht të paautorizuara dhe duke e ngarkuar KOKSH me shpenzime të cilat e tejkalojnë çdo normë logjike dhe ligjore.

 

  1. Gjatë vitit 2019 si President i KOKSH kam kërkuar nga Ish Sekretari dhe nga administrata të dhëna për veprimtarinë financiare të KOKSH. Edhe pse kam paraqitur kërkesa zyrare në mënyrë të përsëritur, sërish Ish Sekretari dhe administrata nuk kanë dhënë asnjë informacion, edhe pse e kishin detyrim. Kjo fshehje të dhënash dhe dokumentacioni financiar, ndërkohë që transparenca është detyrim primar si ndaj publikut ashtu edhe ndaj sportistëve, tregon qartë se në këtë rast Ish Sekretari kërkon të fshehë shkeljet financiare dhe abuzimet.

 

  1. Përdorimi i kartës së debitit nga persona të paautorizuar që nuk kanë firmë të depozituar ne bankë. Sqaroj se ish Sekretari i Përgjithshëm Z. Stavro Bello ka tërhequr nga Banka ku operon KOKSH një kartë debiti të lidhur me llogaritë bankare të KOKSH. Kjo kartë bankare rezulton të jetë përdorur nga shumë individë të paautorizuar për pagesa dhe shpenzime të paaurtorizuara. Kjo mënyrë manaxhimi tregon shkeljet e rënda të kryera nga Ish Sekretari Z. Stavro Bello dhe administrata e tij.

 

  1. Lëvizjet bankare gjatë kësaj periudhe tregojnë se ka veprime të parregullta, të paautoruizuara dhe që nuk shoqërohen me dokumentacion justifikues për shpenzime. Këto veprime tregojnë qartë se Ish Sekretari e ka konsideruar KOKSH si një vend përfitimi si institucioni më i lartë sportiv.

 

  1. Nga auditi rezulton se shpenzimet për aktivitete sportive nuk mund të auditohen pasi nuk ka asnjë dokument. Si është e mundur që Ish Sekretari ka kryer pagesa dhe shpenzime dhe nuk disponon asnjë dokument!? Situata është shumë e rëndë dhe tregon abuzime të mëdha.

 

  1. Ish Sekretari i Përgjithshëm Z. Stavro Bello ka kryer pagesa dhe shpenzime për pritje-përcjellje duke abuzuar në shumë raste. Të gjithë këto pagesa janë kryer në mënyrë të paautorizuar dhe jashtë çdo kushti ligjor lidhur me justifikimin dhe pasqyrimin korrekt financiar.

 

  1. Gjatë gjithë veprimtarisë së KOKSH të gjitha shpenzimet e kryera nga Ish Sekretari i Përgjithshëm Z. Stavro Bello janë kryer pa proçedurë konkurrimi apo tenderimi. Në këtë rast çdo shpenzim është urdhëruar vetëm nga ish Sekretari dhe nuk ka pasur asnjë proçedurë qoftë edhe minimale. Theksoj se këto veprime nuk janë verifikuar dhe as monitoruar as nga Thesaristi duke bashkëpunuar me ish Sekretarin për mbulimin e këtyre shkeljeve.

 

  1. Në shumë raste Ish Sekretari i KOKSH Z. Stavro Bello ka kryer pagesa për Federata Sportive vetëm me firmën e tij dhe pa një vendimmarrje të organeve përkatëse të KOKSH.

 

Këto shkelje të përshkruara shumë shkurtimisht janë vetëm disa nga gjetjet e auditit dhe këto gjetje vetëm mbi dokumentacionin që vetë Z. Stavro Bello i ka vënë në dispozicion audituesit. Theksoj se në këtë rast shkeljet janë shumë herë më të mëdha dhe abuzimet janë ekstreme.

Theksoj se vetëm fakti që Ish Sekretari ka pasur një pagë mujore 121.000  Lek dhe ndërkohë që ka punuar vetëm gjysmën e vitit, pasi gjysmën tjetër ka qenë jashtë shtetit edhe për punë që skanë lidhje me KOKSH, tregon se në këtë rast edhe vetë pagesa e Sekretarit ka qenë abuzive. Ndërkohë që sqaroj se së bashku me bonuse, shpërblime, etj. zëra të çuditshëm pagesash, Ish Sekretari i Përgjithshëm ka përfituar rreth 168.971  Lek pagë mujore. Ky fakt tregon abuzimet dhe shkeljet e kryera. Ndërkohë që theksojmë se pagesat e KOKSH për sportin dhe sportistët kanë qenë më pak se 1/4 e totalit të fondeve të KOKSH. Pra, nga veprimet financiare të Ish Sekretari të Përgjithshëm rezulton se kanë përfituar vetëm persona jo sportistë dhe përfitimi real për sportistët ka qenë minimal, ndërkohë që duhet të jetë e kundërta.

Gjatë veprimtarisë së tij Ish Sekretari i Përgjithshëm ka abuzuar edhe me bursat olimpike, duke i ulur ato si rrjedhim i mbajtjes për efekte taksash dhe ndërkohë këta taksa nuk janë derdhur në tatime. Në disa raste nuk janë aplikuar taksa fare duke vërtetuar edhe më rëndë shkeljet në rastetet e  bursave olimpike.

Për të gjitha këto, unë kam depozituar në Prokurori një kallzim që është duke u hetuar. Përtej këtij veprimi, në përputhje me Statutin e KOKSH, në cilësine e Presidentit unë kam thirrur në mënyrë të vazhdueshme për analizë të situatës Komitetin Ekzekutiv. Anëtarët mbështetës të z. Bello kane refuzuar të marrin pjesë në këto mbledhje të thirrura, duke sjellë si pasojë vetpërjashtimin e tyre në bazë të Nenit 18 pika 7 të Statutit. Në këto rrethana pas vetpërjashtimit të tyre, anëtaret e mbetur të Komitetit Ekzekutiv kanë zgjedhur anëtaret e rinj të Komitetit Ekzekutiv në baze te nenit 18 pika 7 të Statutit kanë shkarkuar z. Bello nga funksioni i tij i Sekretarit.

Pavarësisht nga sa më lart, z. Bello vazhdon të uzurpojë selinë e KOKSH, vulën dhe dokumentacionin sot e kësaj dite, duke penguar veprimtarine normale dhe institucionale të KOKSH. E kuptoj shumë mirë që në këtë situatë të vështirë që po kalon vendi dhe krahasuar me morinë e problemeve që ju keni, çfarë ndodh në KOKSH mund të mos jetë prioritare. Por duke ditur vëmendjen tuaj të veçantë për sportin, si dhe ndjeshmërinë ndaj ç’rrënjosjes së korrupsionit, shpresoj të gjej mbështetjen tuaj për një transparencë të plotë të veprimtarisë së KOKSH dhe kthimit të këtij institucioni në një shembull ligjshmërie dhe përgjegjësie në shërbim të zhvillimit të lëvizjes Olimpike në Shqipëri.

Me konsideratë

Viron Bezhani

President