Në ndeshjen e yjeve që u zhvillua në “Air Albania”, shumë prej lojtarëve që kanë përfaqësuar Shqipërinë më herët, janë kthyer sërish si pjesë e futbollit, por në detyra të ndryshme. Adrian Aliaj është një menaxher i lojtarëve, ndërsa njoftoi për një interes që ka nga Spanja për Odise Roshin.
“Raketa shqiptare” menaxhohet nga figura e njohur e futbollit shqiptar dhe në deklaratën e dhënë për “A2 Neës” zbulohet pak më tepër në lidhje me këtë interesim. Megjithëse emri i skuadrës nuk bëhet i ditur, Aliaj tha më herët se bëhet fjalë për një skuadër që po lufton për mbijetesën në “La Liga”.
“Kemi shumë interes nga Spanja, nga La Liga. Jam me shumë ankth dhe po pres të reja nga Spanja. Shpresoj se raketa jonë do të fluturojë për në Spanjë tani. Këto janë të rejat që kemi nga lojtarët shqiptarë, ndërsa Rrahmani ka disa çështje të vogla për t’u zyrtarizuar te Napoli”, ka thënë Aliaj. Pra menaxheri i Odise Roshit, e nënkuptuar në fjalët e thëna, i ka dërguar versionin e tij skuadrës në La Liga sesi mund të mbyllet marrëveshja në fjalë dhe është në pritje të përgjigjes përfundimtare. /Sport Ekspres/