Lacio është në një nga momentet më të mira të viteve të fundit, ndërsa po ndjek hapin e dy skuadrave më të mira në Seria A, Juventusit dhe Interit. Një tjetër fitore erdhi ndaj Napolit në ditën e djeshme, për të vazhduar ecurinë e shumë fitoreve radhazi.
Sa herë që kthehen sytë nga lacialët për të gjetur arsyen e suksesit, mbërrihet te i njëjti përfundim, Igli Tare. Në këtë mendim është edhe trajneri i Napolit, Gatuzo, që e ka ngritur figurën e drejtorit sportiv të kundërshtarit në “qiellin e shtatë”.
“A është kjo Lacio më e mirë e viteve të fundit? Janë të fortë. Mund të luajë me dy sulmues, me Milinkoviç dhe Luis Alberto në krahë. Ka lojtarë me kualitetet dhe këtu Igli Tare ka bërë një punë të shkëlqyeshme. Ka arritur të bëjë një përzierje të bukur te lojtarët. Një anomali ishte te Lacio në vitin e shkuar. Tani kanë një skuadër të jashtëzakoshme dhe Tare ka merita të mëdha. Ekipi që drejton Inzagi është i bezdisshëm. Kur mendoni se janë të vdekur, ata ju lënë tre futbollistë në vijën e parë të sulmit. Kanë shumë alternativa që të bëjnë “dëm” me kaq shumë karakteritika”, tha në fjalën e tij Gatuzo pas humbjes. /Sport Ekspres/