Zbardhet arsyeja qesharake/ Tifozët kuqezi brohoritën sa herë lojtari turk kapte topin

Afro 5-6 mijë tifozë ishin të pranishëm në ndeshjen e thirrur të bamirësisë. Ndonëse munguan organizimet e tifogrupeve të Kombëtares, anëtarët e tyre mbushën shkallët të shoqëruar nga familjarët. Në ndeshjen e parë mes Shqipërisë dhe Italisë brohorimat ishin të justifikueshme për sa kohë në fushë ishin legjendat kuqezi. Mirënjohja ndaj tyre nuk mund të shprehej ndryshe megjithëse stadium nuk u tejmbush sipas parashikimeve. Një moment që ngjalli dyshime ishte edhe shpërthimi i tifozerisë vetëm ndaj një lojatri, e mbi të gjitha të kombëtares turke.

Në gjysmëfinalen e dytë mes Turqisë dhe Greqisë, shkallët e stadiumit “Air Albania” oshëtinin në brohorima dhe duartrokitje sa herë që lojtari me numër 8 prekte topin. Ndonëse paraqitja e tij ishte normale në krahasim me lojtarët e tjerë, kishte vërtet një arsye se përse tifozët reaguan në atë mënyrë. Sport Ekspres bisedoi me disa nga tifozët kuqezi pas ndeshjes duke mësuar se brohorimit ishin të orkestruara nga vet ata.

“ Nuk e dinim kush ishte. Pamë në fushë që po luante një lojtar në moshë, shtatshkurtër dhe i shëndoshë. Na bëri përshtypje. Nisëm të qeshim sepse ishte “elastik” nga mënyra si lëvizte në fushë. Filluam një grup i vogël duke brohoritur për të ndërsa pas pak sekondash i gjithë stadium na u bashkua. Nuk e dimë nëse ka qenë lojtar i Kombëtares së Turqisë apo doktori i tyre në të shkuarën(qesh), por dimë se ishte një personazh simpatik që na shkaktoi të qeshura”- tha njëri prej tifozëve./Sport Ekspres/