Kreu i FSHF-së, Armand Duka ka dhënë një intervistë të gjatë në Itali për mediat përtej Adriatikut. Sipas asaj që raporton “Ballkanweb”, gjatë rrëfimit presidenti Duka është ndalur në disa çështje, duke nisur që nga stoli i trajnerit të Kombëtares kuqezi e deri te lojtarët shqiptar në Serie A, apo synimet që Shqipëria ka në futboll.
Sa i përket kësaj të fundit, Duka ka treguar se ëndrra e tij është që Kombëtarja të arrijë në Europianin 2024. Gjithashtu nuk ka lënë pa përmendur edhe stadiumin “Air Albania” dhe tragjedinë që preku vendin tonë në datën 26 nëntor, për të cilën do të luhet edhe ndeshja e bamirësisë në 10 janar./Sport Ekspres/
Dinastia italiane në pankinë dhe bashkëpunimi me Panuçin
“Trajnerët italianë janë të suksesshëm kudo, e tregon historia. E nisa duke i besuar Dosenës. I dyti ishte De Biasi, i cili na dërgoi në kampionat europian për herë të parë. Për këtë mori nënshtetësinë shqiptare, konsiderohet një hero. Panuçi erdhi pas tij, ai ishte i vetmi që më zhgënjeu pak.
Nuk ishte krijuar një klimë e mirë. Vendosa ta zgjidhja për trajner të Shqipërisë për karakterin e fortë që ka treguar në fushën e lojës, e admiroja që kur e kam parë në televizor. Nuk kishte eksperiencë si trajner, por nuk e kushtëzova. Mendova se donte të ndihmonte Shqipërinë. Kur e takova më tha: ‘President, nëse ke vendosur të më largosh, nuk do të kërkoj asgjë’. Dhe tani kemi marrë një kërkesë për t’i shpërblimet pas shkarkimit. Avokatët po merren me çështjen. Nuk është çështje parash, por ndiej hidhërim.”
Synimet me Rejën
“Reja është trajner me eksperiencë. Me të dhe stafin e tij teknik kemi një projekt me perspektivë. Kualifikimi në Kupën e Botës është i vështirë, synojmë të kualifikohemi për EURO 2024. Kjo është ëndrra ime.”
Kumbulla dhe lojtarët shqiptar që luajnë në Itali
“Kumbulla është një lojtar shqiptar me shumë perspektivë. Është 19-vjeç, po bën shumë te Verona, po rritet dhe është thirrur në kombëtare nga trajneri Reja, ku ka luajtur disa minuta. Është në rrugë në mbarë për t’u bërë një lojtar me emër. Ai i zoti në aspektin teknik dhe fizik dhe ka karakter të mirë. Te Verona është dhe Rrahmani. Ai ka luajtur më parë me ne, por vendosi të përfaqësonte Kosovën.
Hysaj është kapiteni ynë, është lojtari më me eksperiencë, shpresoj të rifitojë sërish hapësirë te Napoli. Ka luajtuar pak me Ançelotin. Gjimshiti është lojtar i mirë, luan në Ligën e Kampioneve dhe nuk është pak për ne. Strakosha dhe Berisha janë të zotë, ata ia kanë të vështirë Rejës se kë duhet të zgjedhë si portierin e parë. Në Serinë kemi Veselin.”
Tërmeti i 26 nëntorit dhe stadiumi i ri “Air Albania”
“Stadiumi i ri është gjëja më e bukur në Shqipëri për momentin, është shumë i rëndësishëm për ne. Në stadiumet e qyteteve të prekura nga tërmeti tani ka tenda. Të gjithë lojtarët e skuadrës tonë kombëtare kanë paguar për rikonstruksionet bashkë me shumë federata të tjera të futbollit. Presidenti i Federatës Italiane të Futbollit Gabriele Gravina reagoi menjëherë. Reja kontribuoi bashkë me Lacion. Me paratë grumbulluara ne do të ndërtojmë shtëpi të reja për njerëzit e prekur nga tërmeti. Në 10 janar do të luajmë një ndeshje bamirësie mes veteranëve të Shqipërisë me ata të Italisë, Greqisë dhe Turqisë. Paratë e grumbulluara nga kjo ndeshje do të shkojnë për bamirësi.