Emanuela Rusta është arbitrja femër me më shumë jehonë në futbollin shqiptar. Ajo ishte pjesë e gjykimit edhe në derbin mes Tiranës dhe Partizanit, por njëkohësisht mban edhe stemën e FIFA-s. Në një intervistë për “Top Channel”, ka bërë një rrëfim të shkurtër. Për ta nisur që nga hapat e parë që e dërguan në këtë profesion, për të vazhduar me mënyrën sesi ka arritur të marrë stemën e FIFA-s, por edhe duke folur paksa për ngacmimet kundrejt saj.
“Unë kam qenë basketbolliste dikur dhe e ndërrova komplet profesionin tim dhe u bëra arbitre. Ishte një dashuri me shikim të parë për futbollin. E kam nisur rastësisht, po kjo rastësia nuk ka ndërmend që të ndalojë. Kam stemën në FIFA dhe atje duhet të dish gjuhën angleze, të japësh testimet fizike. Atje të bëhen testime edhe në teori, ndërsa nëse gabon vetëm dy herë, atëherë kalon. Qëllimi im është që të bëhem e rëndësishme si arbitre edhe në botë. Pjesa e ngacmimeve pastaj është jashtë profesionit, nuk ngatërrohet puna me gjëra të tjera”, shprehet duke qeshur Emanuela Rusta. /Sport Ekspres/