Enea Mihaj ka ndierë aromën e fushës me kampionët e Greqisë, PAOK-un. Mbrojtësi i Kombëtares do të transferohej në verë tek kjo skuadër, pasi një sezoni fantastik me Panetolikosin. Vlerësimet më të mëdha do të merrte nga mediat greke, ndërsa shpeshherë vendosej tek më të mirët dhe në formacionin e javës.
Por ashtu siç edhe pritej, te PAOK do të ishte një tjetër histori. Shumë muaj pritje dhe ka mbërritur debutimi i Mihajt. Në ndeshjen e sotme mes OFI dhe PAOK e përfunduar në shifrat 0-3 për Kupën e Greqisë, mbrojtësi shqiptar u aktivizua në minutën e 72. Ajo që shpresohet në këtë rast është se kjo shenjë mund të jetë pozitive edhe për të ardhmen, për besimin që drejtuesit mund t’i japin lojtarit sa i përket hapësirave në skuadër, pasi me aftësitë që ka, e meriton të jetë më protagonist. /Sport Ekspres/