I dalë nga Juventusi dhe ekipi i fundit ishte Leiçester, e merr për provë Partizani i Sormanit

Partizani që drejtohet nga Sormani po zhvillon përgatitjet në Antalia. Atje ka edhe një lojtar që pritet të shihet me vëmendje dhe është në periudhë provë. Bëhet fjalë për mesfushorin italian, Davide Lorenzo.

Futbollisti në fjalë është vetëm 25-vjeç, por ka provuar aventura nga më të ndryshmet. I dalë nga të rinjtë e Juventusit, do të provonte eksperienca në Norvegji, Zvicër, Amerikë dhe Maltë. Ndërkohë në vitin 2018 arriti marrëveshjen për t’iu bashkuar Leiçesterit, megjithëse nuk do të zgjaste shumë. Tashmë ky lojtar po provohet te Partizani, duke u tentuar që të zëvendësohet Jasir Asani me këtë lojtar. Një boshllëk të madh do të lërë transferimi i Asanit te AIK, por të kuqtë shpresojnë shumë te Davide Lorenzo, që pavarësisht CV të pasur, koha e pakët që ka ndenjur nëpër skuadrat e tij lë vend edhe për dyshime. /Sport Ekspres/