Rudi Vata shpërthen dhe flet për djalin: Lojtarët shqiptarë nuk kanë nivel, unë ia dola vetë në Europë

Rudi Vata kthehet dhe njëherë me shumë zhurmë për t’u kthyer në qendër të diskutimit. Këtë herë për të folur rreth mungesës së emrit të tij në listën e legjendave të Shqipërisë që do të ndeshen pas pak ditësh kundër yjeve të Italisë, Greqisë dhe Turqisë.

Në prononcimin e tij për “Pressing” është folur hapur, ndërsa Vata shprehen se futbollistët shqiptarë nuk kanë nivel për të përballuar Europën. Gjithashtu ka folur edhe për karrierën personale sesi ia ka dalë i vetëm për të mbërritur larg.

“Futbollistët shqiptarë nuk janë në gjendje të përballojnë nivelet europiane. Jam i lumtur për atë që e kam arritur, e kam bërë vetë, edhe në Europë.  Ai që ka bërë listën nuk ka kapacitetin për ta bërë. Janë njerëz që janë mësuar për shoqëri. Në futboll ka pak shokë dhe ka egoizëm. Ne shqiptarët jemi miqtë më të mirë dhe pastaj bëhemi armiqtë më të mëdhenj. Kurrë s’kemi pasur qëllime të luftojmë vetëm. Qëllimi arrihet me sakrifica. Disa nga ata që janë thirrur nuk e kanë mundësinë as të më qëndrojnë pranë.

Me FSHF-në nuk kam pasur problem. Me Dukën ulem pimë kafe, rrimë. Nuk e kam armik, kemi botëkuptime të ndryshme. Ka njerëz me vullnet, por janë të paktë.  Shqipëria ka nevojë për njerëz të sakrificave. Ka njerëz që kanë shkuar në Europë dhe nuk kanë mundur të qëndrojnë dy javë. Janë kthyer se aty e kanë pasur më të lehtë. Unë nuk kam njeri inat. Po kalojnë vite dhe brezat e ri po rriten me edukatë të mbrapshtë. Nuk po u japim dot edukatën e duhur, s’kemi njerëz të mjaftueshëm.

Djali luan me Irlandën U15 momentalisht. Nuk guxoj unë me diktuar karrierën e fëmijës time. I jap këshilla, jo ta diktoj. Nuk është diçka e përhershme. Atij i shërben për mirë. Kur të vijë momenti final do të analizojë çdo gjë dhe të marrë vendimin. Nuk vendos unë. Njerëzit vendosin sipas ndjenjave. Jam prind liberal dhe kështu duhet të jenë të gjithë”, ka thënë Vata. /Sport Ekspres/