Klubi i Shkëndijës ka kryer grumbullimin e parë për fazë përgatitore. Me grupin është bashkuar edhe blerja më e re e tetovarëve, Valon Ahmedi. Por, përveç këtij afrimi, me kuqezinjtë kanë ndarë rrugët pesë lojtarë të tjerë. Bëhet fjalë për Bejtullain, Husmanin, Shefitin, Berishën dhe Salajdin Mustafin.
Këta lojtarë nuk do të jenë më pjesë e Shkëndijës për pjesën e mbetur të sezonit dhe këtë gjë e ka konfirmuar vetë klubi. Bejtullai nuk ka rinovuar kontratën e tij me klubin, duke qenë se dëshiron një eksperiencë të re jashtë Maqedonisë së Veriut, ndërsa me konsensus nga të dyja palët është ndërprerë edhe marrëdhënia mes futbollistin Zeni Husmani.
Sa i përket lojtarit të Shpresave të Shqipërisë, Shefitit, dhe Berishës, arsyeja ka qenë minutat në këmbët e këtyre dy lojtartëve, që nuk kanë pasur hapësira të mjaftueshme në formacion dhe kërkojnë kështu një skuadër tjetër ku mund të luajnë më tepër. Ndërkohë Mustafi do të marrë një tjetër post në klubin nga Tetova, ku do të jetë trajneri i parë i portierëve në ekipet e moshave./Sport Ekspres/