Lionel Mesi dhe Kristiano Ronaldo janë padyshim dy prej lojtarëve më të mirë në historinë e futbollit. Golat e shënuara dhe numrat flasin saktësisht për atë që këta dy lojtarë i kanë dhuruar këtij sporti deri më sot. Pikërisht për këtë arsye shpeshherë mediat shkruajnë dhe i cilësojnë si dy jashtëtokësorë që nuk i përkasin këtij planeti.
Por nëse dy futbollistët e sipëpërmendur vijnë nga një tjetër planet, prej këtej nuk mund të jetë as Ibrahimoviç. Fakti është se ky i fundit i ka thyer të gjitha ligjet në futboll dhe do të jetë e vështirë që dikush tjetër ta përsëris këtë rekord.
Kur u largua nga Kombëtarja e Suedisë dhe shkoi në Amerikë, të gjithë e cilësuan si fundin e karrierës së një sulmuesi të madh. Por aty u gabuan! Pavarësisht se Ibrahimoviç mbush 39-vjeç, po kërkohej nga ekipet elitare të Europës dhe më me emër, ndërsa zgjodhi të firmoste me Milanin.
Një arritje e jashtëzakonshme për moshën e tij, por nuk mbaron këtu. Së fundmi është trajneri i Suedisë, që në një farë mënyrë “i lutet” këtij sulmuesi që të kthehet sërish te Kombëtarja e Suedisë:
“Unë gjithmonë kam thënë se respektoj vendimin e tij. Sidoqoftë, kjo nuk do të thotë që ai nuk mund të ndryshojë mendim. Nëse Zlatan vendos të kthehet te Kombëtarja, dera është e hapur për të. Mezi pres të dëgjoj prej tij”, ka thënë Janne Anderson. Pra nëse Ibrahimoviç zgjedh të kthehet te Suedia, do të jetë menjëherë pjesë e Kombëtares. Por sa gjatë do të vazhdojë të luajë në arenat më të rëndësishme të futbollit? Askush nuk e parashikon dot, kjo është thyerje e rregullit në futboll. /Sport Ekspres/