U largua nga Flamurtari papritur, Bajraktareviç: E kam çuar në UEFA, pres të marrë paratë

Semir Bajraktareviç ka qenë një nga largimet e Flamurtarit për shkak të situatës së vështirë që po kalojnë vlonjatët. Me mungesën e parave dhe pagesës, mesfushori 32-vjeçar nuk mund të duronte më gjatë.

Ai është larguar papritur nga Flamurtari, për të mos e menduar dy herë zgjedhjen. Në një intervistë për mediat boshnjake, Bajraktareviç është shprehur se çështjen me vlonjatët e ka çuar deri në UEFA, atje ku kërkon të fitojë drejtësinë.

“E vërteta është se unë isha në Sarajevë për disa javë. E lashë Flamurtarin dhe kam letra të pastra. E paraqita çështjen time në UEFA dhe tani jam duke pritur për një përgjigje për të marrë paratë për atë që kemi nënshkruar dhe firmosur. Unë stërvitem rregullisht këtu në Sarajevë dhe jam gati për një klub të ri. Edhe pse jam 32 vjeç, unë ende nuk e kam konsideruar pensionimin në futboll sepse ndihem shumë mirë, dhe ju e shihni vetë se lojtarët më të mirë të Premier League të Bosnjes janë ata mbi 30 vjeç, ata janë të gjithë mjeshtër të vjetër të futbollit. Shpresoj që në periudhën e ardhshme të zgjidh çështjen me Flamurtarin dhe të firmos me një klubi të ri”, tha Bajraktareviç. /Sport Ekspres/