Endri Çekiçi ka zhvilluar një sezon mjaft të mirë në Slloveni me ekipin e Olimpik Ljubjanës, ku ka shënuar 7 gola dhe ka dhënë 5 asiste. Forma e shkëlqyer që po kalon futbollisti shqiptar ka bërë që të ngjallë interesin e disa skuadrave. Sipas medias sllovene “24ur.com”, ndeshja kundër Domzhales mund të ketë qenë e fundit për Çekiçin.
Për të kanë mbërritur të paktën 4 oferta serioze, që vijnë nga gadishulli Iberik, ai Apenin dhe Polonia. Kështu 22-vjeçari kërkohet nga La Liga dhe Liga e dytë e Spanjës, ndërsa interes ka edhe nga elita e polake, si dhe nga Italia. Emrat e klubeve të interesuara për shërbimet e Çekiçit ende nuk janë bërë publike, megjithatë hapi i radhës në karrierën e tij pritet të hidhet shumë shpejt. Një gjë të tillë e pohojnë edhe fjalët e vetë futbollistit, që u shpreh për televizionin “Ora” se është duke u pajisur me pasaportën kroate dhe se shpresonte që ky proces të mos zgjaste shumë, pasi do I shërbente për transferimin e radhës./Sport Ekspres/