Intervistat/ Marantas për Filin: E ka thënë Krujf, le të vijë një trajner tjetër që e bën më mirë punën

Dy ndeshjet e para të javës së 13 të Superiores janë mbyllur, atje ku Kukësi ka fituar me rezultatin 2-1 ndaj Bylisit falë golave të Abazajt dhe Rrocës. Nga ana tjetër, Flamurtari ka barazuar në minutat e fundit me rezultatin 1-1 ndaj Luftëtarit falë Nikajt, por kjo pikë nuk shijon në Vlorë, që ende nuk e kanë marrë fitoren e parë në këtë kampionat.

Më poshtë mund të ndiqni edhe intervistat e trajnerëve për “Supersport”, menjëherë pas mbylljes së këtyre takimeve:

Shpëtim Duro (Kukësi): “Në pjesën e parë nuk kemi bërë mirë. Kemi humbur pasime të thjeshta dha Bylisi na krijoi probleme. Pastaj e menaxhuam mirë lojën dhe ndryshimet ishin të duhura. Mund të shënonim edhe gola të tjerë, por ndaj Bylisit të gjithë do e kenë të vështirë. Rrocën e kam kritikuar shumë dhe prandaj erdhi te mua. Ka humbur shumë raste të pastra më herët. Shkurtaj është munduar dhe bëri maksimumin, por nuk është në 100% e tij. Të kesh Gavazajn në stol është luks për mua dhe bëra ato zgjedhje që mu dukën të duhurat”.

Birçe (Flamurtari): “Isha përgatitur gjatë gjithë javës, pasi kishim presion psikologjik. U mundova t’i qetësoj lojtarët. Kishim shumë raste të mira, goditëm shtyllat, pastaj edhe ato vendimet e arbitrave kundër nesh. Ky është fati jonë, duhet të luftojmë kundër tij dhe me arbitrat. Pësuam një gol kur nuk kishim vëmendjen e duhur, por pastaj kaluam në 3-4-3 dhe kishim shumë volum. Ne na duheshin tre pikët, por kemi ndeshje të tjera para. Gjithmonë i kemi si finale. Sa i përket sharjes së Nikës kundrejt tifozëve, nuk kam se çfarë t’i them më tepër. Ai është lojtar profesionist dhe falë tij kemi barazuar”.

Dovedan (Bylis): “Kukësi ka shkuar dy herë të porta dhe ka shënuar dy gola. Ato ishin gjysmë shanse, as shanse nuk ishin. Nga ana jonë kemi pasur 12 raste dhe nuk kemi arritur t’i finalizojmë dot. Jam i pakënaqur me lojtarët që u aktivizuan në pjesën e dytë dhe në pjesën sulmuese lamë shumë për të dëshiruar”.

Marantas (Luftëtari): “Fili dhe lojtarët më të paguar që janë jashtë? E ka thënë edhe Krujf, që lekët nuk kanë asnjë rëndësi në futboll. Unë luaj me ata lojtarët që i besoj më shumë. Ne duhet të përmirësohemi në atë pasimin e futbollit. Jam shumë i kënaqur me ekipin. Jemi larguar pak të mërzitur me këtë barazim, pasi mund ta devijonim atë goditjen e fundit të Nikës. Ky barazim na lë pak mbrapa në renditje. Ndihem shumë mirë këtu, nëse ka ndonjë trajner tjetër që e bën më mirë këtë punë, atëherë le të vijë. Mos harroni që ishin dy trajnerë më parë dhe i pari që zgjodhi lojtarët dhe nuk e nisi kampionatin”.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *