Klubi i Vëllaznimit të Gjakovës është duke kaluar gjendjen më të keqe në historinë e vetë. Klubi është në prag falimentimi, ndërsa pak kohë më parë dha dorëheqjen nga presidenca e gjakovarëve babai i kapitenit legjendar Lorik Cana, Agim Cana.
Financimet dhe rezultatet po i mungojnë këto kohë ekipit që luan në Ligën e Parë të kampionatit të Kosovës dhe për të shpëtuar klubin nga një situatë e tillë ku kanë rënë po mendojnë tifozët. Grupimi Kuqezinjtë e Jakovës në bashkëpunim me kryesinë e Vëllaznimit kanë vendosur të hapin një fushatë për të grumbulluar të ardhura, të cilat do i përdorin më pas për të shpëtuar sadopak klubin nga gjendja e vështirë ku ndodhet.
Për ndeshjen e shkuar mes Lirisë dhe Vëllaznimit, është hapur një llogari bankare ku çdo person mund të kontribuonte duke blerë një biletë për ndeshjen. Të ardhurat e arkëtuara nga kjo përballje, që përfundoi në barazim 1-1, u shpërndanë më pas si premio për lojtarët e ekipit. Ndërkohë, kjo fushatë e emërtuar “Kontribo edhe ti për Vëllaznimin” dhe që konsiston në mbledhjen e fondeve nga shitjet e biletave do të vazhdojë të mbahet gjallë nga Kuqezinjtë e Jakovës, të cilët janë të vendosur të shpëtojnë ekipin e tyre të zemrës me çdo kusht./Sport Ekspres/