Largimi i Mehmetit nga Partizani i parë, Lerda është i kënaqur: Më e mira për klubin!

Një kaos i madh ka qenë te Partizani pas ndeshjes me Kukësin, e mbyllur në barazimin 0-0. E gjitha kjo pasi trajneri Mehmeti ka sulmuar trajnerin Lerda me fjalë, duke i thënë se nuk guxoi për të fituar. Në këtë moment tekniku italian kërkoi që t’ia kthente përgjigjen duke u përleshur fizikisht.

Pas këtij episodi u vendos edhe ultimatumi për klubin: “Ose unë, ose Mehmeti”. Partizani gjeti të mesmen e artë duke e larguar Mehmetin nga ekipi i parë, për ta dërguar në ekipin e dytë. Pikërisht mbi këtë çështje ka folur edhe trajneri i Partizanit në konferencën e sotme.

“Ndryshimet janë pritur mirë nga të gjithë dhe po vazhdon puna. Me Kalarin kemi punuar edhe më parë, prandaj fryma është e duhur. Me inteligjencën e tij do të jetë ndihmë e madhe për mua, pasi e njeh shumë mirë klubin. Largimi i Mehmetit ishte zgjedhje e klubit dhe njëkohësisht gjëja më e mirë për Partizanin”, ka thënë Lerda. /Sport Ekspres/