Ironi dhe debat mes Montelës dhe Kapelos: Zotëri ju nuk më linit kurrë të luaja, Riberi donte të dilte më para

Trajneri i Fiorentinës ka dhënë përgjigje për nervozizmin e treguar nga Riberi, i cili nuk e priti mirë largimin nga fusha për t’u zëvendësuar me Boatengun. Ai ka thënë në mënyrë ironike se “ndoshta Riberi është nervozuar sepse donte të dilte më parë”. Ndërkohë, pas këtyre fjalëve ka ndërhyrë edhe Fabio Kapelo, që ka qenë edhe ish-trajneri i Montelës, dhe të dy kanë nisur një debat me njëri-tjetrin. Tema kryesore ka qenë mosaktivizimi i trajnerit të violëve në kohën kur Kapelo e ka pasur nën drejtimin e tij te Roma.

Debati i plotë në “Sky Sport”:

Montela: Riberi i nervozuar pas zëvendësimit? Ndoshta sepse donte të dilte më parë.

Kapelo: Tani e kupton se çdo të thotë që të duhet të bësh zgjedhje.

Montela: Zotëri, ju kurrë nuk më linit të luaja, pavarësisht nëse shënoja pasi hyja në fushë ose e nisja ndeshjen si titullar.

Kapelo: Por unë bëja gjithnjë zgjedhje teknike, kurrë për shkak të simpatisë.

Montela: Sigurisht, mes Montelës, Batistutës dhe Totit zgjedhja ishte e lehtë. Por më ke bërë të gëzuar pas golit kundër Juves në Torino, atë  të 2-2. E në fakt herën tjetër më ktheve sërish në pankinë./Sport Ekspres/