(Opinion i marrë nga ShkodraWeb)
Është dashur të kalojnë përmes një kalvari 13 mujor para se të riktheheshin në jetën dhe aktivitetin normal. Gjykata i liroi nga të gjitha akuzat, prokuroria nuk gjeti prova. Provuan arrestimin, provuan burgun, linçimin publik e mediatik. Sot janë të lirë por jetae tyre do të duhet kohë që të futet në “shinat” që ishin para 13 muajve!
Armir Grima trajner i Kombëtares së futbollit të femrave- një nga emrat që personifikuan për shumë vite Vllazninë, Nelson Hysa- një nga kampionët më të shquar të boksit shqiptar dhe Fabjol Rexhepi, edhe aktualisht futbollist, u vunë në qendër të ciklonit në emër të “drejtësisë”. Në fakt, një drejtësi që thuajse shkatërroi jetë njerëzore, madje edhe familje të tëra.
Mjafton të dëgjosh fëmijët e Armir Grimës, nënën dhe babain e tij për të kuptuar se ajo që kanë kaluar për 13 muaj, i kalon kufijtë e dramës. E nuk po flasim për pjesën ekonomike, e cila kur kryefamiljari nuk punon, është në kufijtë e mbijetesës.
Grima e tha saktë, gjithçka për 12 sekonda regjistrim por që sollën 13 muaj vuajtje! Natyrisht, natyra njerëzore është e prirur rë harrojë shpejt të keqen, por gjurmët që ajo lë pas, nuk shuhen asnjëherë, sidomos tek fëmijët dhe të moshuarit.
Askush nuk është kundër drejtësisë, vënies së saj në vend e dënimit të atyre që e shkelin atë. As Grima, as Hysa dhe as Rexhepi nuk besojmë se janë kundër. Aq më shumë që vijnë nga fusha e sportit e ku mungesa e drejtësisë, në këtë rast sportive, mund ti ketë penalizuar në karrierë. Siç edhe mund ti ketë gëzuar kur drejtësia ka qenë “e verbër” në vendimmarrje të paanshme.
Armir Grima, në një veprim të shkëlqyer dhe të duartrokitshëm të FSHF-së, u rikthye brenda pak orëve si trajner i Kombëtares së futbollit të femrave. Edhe Nelson Hysa dhe Fabiol Rexhepi do t’iu rikthehen jetës së tyre, familjeve, miqve e të njohurëve. Po kush mund t’ia shlyejë dëmin që iu bë atyre dhe të afërmëve të tyre? Dikush mund të mendojë për një padi civile, për privimin e drejtë nga liria dhe dëmtimin e imazhit. Aq më shumë për pozicionin si figura të njohura të sportit. Po a mjafton kaq? A mjaftojnë disa miliona për të mbuluar deri në harresë 13 muaj ankth deri në shkatërrim të jetës për dhjetra, qindra persona, nga familjet e ngushta, miqtë, shokët e të njohurit?! A nuk do të ishte e mjaftueshme, që pikërisht për pozicionet e tyre, këta persona të hetoheshin dhe të gjykoheshin të lirë, duke iu kursyer linçimin publik e mediatik, duke i bërë pjesë të një grupi që shteti e konsideroi shumë të rrezikshëm?! A është momenti që kjo “drejtësi e re” që po përpiqet të lindë (urojmë të mos lindë e vdekur), të përcaktojë një trajtim më dinjitoz, më në respekt të të drejtave njerëzore, duke mos i “futur të gjithë në një thes”, por duke gjykuar nga personaliteti e figura e secilit?! A nuk është momenti që nga “plase në burg” dhe më pas të dalë i pafajshëm të kalojmë tek respektoje në lirinë e tij dhe “plase në burg” kur të provohet fajësia?!
Pavarësisht se një nga portierët më të mirë të Vllaznisë, gjatë karrierës së tij sportive si portier, Armir Grima ka pësuar gola edhe pa faj. Ndoshta edhe për faj të shokëve, mbase edhe si ndikim i një gjykimi të padrejtë të arbitrit. Po ashtu edhe Fabiol Rexhepi. Edhe Nelson Hysa, pavarësisht se një nga kampionët më të mëdhenj të boksit shqiptar, ka ngrënë mjaft grushte në ndeshje. Por në të gjitha rastet, në të gjitha rrethanat, kanë qenë pjesë e një gare sportive. Ndërsa për gjatë 13 muajve të fundit, u kthyen pa e merituar (kështu e tha gjykata), në shënjestra të atyre që mbase kanë brohoritur apo gëzuar nga sukseset e tyre sportive!