Samuel Nikaj është padyshim një nga trajnerët shqiptarë më të përgatitur. Një teknik që nuk dëshiron vetëm një vend pune dhe bën gjithçka për ta mbajtur sa më gjatë, por një klub që ka objektiva serioze dhe të larta.
Gjithmonë e quajnë si specialistin e ngjitjes së skuadrës nga Kategoria e Parë në elitë, duke e bërë të mundur në shumë raste. I ftuar në emisionin “90 plus”, prezantuesi e ka pyetur trajnerin për ndonjë rast të veçantë përgjatë kohës shtesë në gjithë karrierën. Më pas Nikaj, trajneri shkodran, sjell ndërmend një rast me Jeminin:
“Mbaj mend një rast tek të rinjtë mes Vllaznisë dhe Tiranës. Unë në atë kohë drejtoja Vllazninë dhe dihet se është derbi i ndezur i Shqipërisë. Tirana na kishte vënë “për poshtë” me lojën e saj dhe kërkonte patjetër golin në minutat e fundit. Kishte njerëz të pranishëm në stadium se ishte finalja dhe jepej titulli, ndërsa si arbitër na ka ardhur më i miri në Shqipëri, Lorenc Jemini.
Vetëm tre minuta shtesë u dhanë, por e pashë që goli ishte vetëm çështje sekondash se do të vinte. Pra ishte ai momenti që pyetja ishte se kur po e hanim golin. Atëherë unë futa 10 persona nga pankina që të hynin në fushë për të kontestuar një rast, së bashku edhe me mua. Jemini më kapi vetëm mua dhe më tha: “Çfarë po bën? A e di se unë të nxjerr jashtë?”. Dhe përgjigja ime që ishte: “Më nxirr. Kjo është finale dhe nuk ka tjetër më. Më mirë po dalë unë me të kuqe, por ama mori pak frymë ekipi tani”. Pastaj edhe Jemini ma fali.
Sa i aventurave të mia si trajner që i lë ekipet që i ngjis në elitën e futbollit, kjo vjen për shkak të projektit. Nuk dua të marr një ekip që ka projektin për poshtë, por atë që dëshiron për lartë. Nuk dua të bëj si trajner i madh, shumë mirë e kam që të marrë një ekip të rinjsh apo te Liga e Dytë e Kosovës që të shkoj.
Por te një skuadër që dëshiron të ngjitet. Kam pasur oferta nga Kosova dhe Shqipëria nga ekipe që janë nga fundet e tabelës, prandaj nuk kam shkuar. Si të them, unë i shpëtoj të keqes. Ka pasur një rast kur dhashë kontributin tim për Vllazninë, një ekip që të gjithë e dini që ka peshë të rëndë në futbollin shqiptar.
Duhej ta ndihmoja që të mos binte nga elita e futbollit dhe aty kam kaluar një stres të paparë. Ndoshta edhe nga kjo i mendoj dy herë ekipet para se t’i marrë dhe nuk zgjedh ato skuadra që nuk kanë një objektiv të lartë”, ka thënë Samuel Nikaj. /Sport Ekspres/