Çekia i trembet mësymjes nga dardanët, në treg pak bileta dhe… një stadium i vogël

Kosova luan një tjetër finale të parakohshme atë ndaj Çekisë  në muajin nëntor. Në një grup mjaft të ngjeshur të dy ekipet janë në luftë të hapur për vendin e dytë me diferencë të vogël, vetëm një pikë. Organizimet e para kanë nisur që tani duke u përcaktuar stadiumin ku do të luhet takimi dhe biletat për skuadrën mike. Ndeshja pritet të luhet në qytetin e Pleznit në një stadium me jo më shumë se 11 700 vende. Si duket çekët u tremben një “pushtimi” nga dardanët pasi për ta janë vënë në dispozicion jo më tepër se 630 bileta.

Në ndeshjen e shtatorit Çekia u shtang pas asaj pritje nga afro 13 500 dardanë në stadiumin “Fadil Vokrri” duke ndjer një presion që i çoi drejt humbjes. Duke i’u trembur një mësymje nga dardanët edhe në vendin e tyre, Çekia zgjedh një stadium të vogël për një ndeshje aq të madhe. Megjithatë nuk përjashtohet as mundësia që çekët të surprizohen edhe nga shqiptarët e Kosovës të shpërndarë nëpër Europë e kryesisht në Gjermaninë, shteti fqinjë i Çekisë. Në grupin A, Kosova ndjek me 11 pikë Çekinë e vendit të dytë për një ëndërr dardane që mund të hyjë në istori për të parën herë./Sport Ekspres/