Shpresat për një vend në Euro 2020 janë shuar për kuqezinjtë pas asaj humbje në mbrëmjen e djeshme në transfertë ndaj Turqisë, ndërsa tani objektivi i vetëm mbetet vendi i tretë në grup. Por në kohën kur këto kualifikuese kanë përfunduar për Kombëtaren tonë, vështrimi hidhet te kualifikueset e radhës, ato të Kupës së Botës që do të zhvillohet në Katar në vitin 2022.
Data e hedhjes së shortit nuk është bërë ende publike nga FIFA, ndërsa me shumë mundësi vazot do të përcaktohen sipas renditjes së përgjithshme së Kombëtareve. Mënyra e ndarjes së grupeve do të jetë e njëjtë si në rastin e kualifikueseve të Euro 2020, ku 55 përfaqësuese do të ndahen në 10 grupe, ndër të cilët 5 do të jenë me 6 skuadra dhe 5 të tjerët me 5 të tilla.
Por, ajo çfarë e bën më të vështirë situatën është fakti se vetëm vendet e para do të shkojnë automatikisht në Katar, ndërsa 10 vendet e dyta së bashku me 2 ekipe nga Liga e Kombeve do të duhet të luftojnë me njëra-tjetrën për 3 biletat e mbetura që të dërgojnë në Botëror.
Megjithëse nuk ka ende një vendim zyrtar nga UEFA, është menduar që “play off”-i të zhvillohet me dy faza, ku në të parën do të zhvillohen 6 përballje me sistem vajtje-ardhje, ndërsa në fazën e dytë do të kemi 3 përballje me po të njëjtin sistem mes përfaqësueseve që kalojnë fazën e parë. Pra e thënë më thjesht, Shqipërisë do i jepej vetëm një biletë për në “gjysmëfinale” me vendin e dytë, pasi i duhet të mposhtë edhe dy kundërshtarë për të shkuar në Botëror.
Duke parë këtë ideim për rrugën që të dërgon në Katar, Shqipërisë do i duhet shumë punë, fat dhe forcë për të arritur në vendin e dytë mes surprizës, por që në fund të fundit me këtë lloj skeme do të siguronte vetëm një vend mes 12 ekipeve që luftojnë për 3 pozicione për të shkuar në Botëror. Ndërkohë nuk duhet të harrojmë që kuqezinjve u nevojiten rezultate sa më pozitive në ndeshjet e radhës, në mënyrë që të pozicionohen sa më lartë në renditjen e FIFA-s dhe të përfshihen kështu në një vazo sa më të lartë për të rritur shanset e kualifikimit./Sport Ekspres/