Një deklaratë shumë e rëndë ka ardhur nga ish-ndihmësi i Contes, Antonio Toma, që po drejton ekipin e Vushtrisë. Madje u përfol shumë edhe një ribashkim te Interi, por vetë Toma zgjodhi Kosovën, pasi kërkonte një eksperiencë si trajneri i parë i një skuadre.
Por rezultatet e marra janë shumë të dobëta në këtë kampionat, madje u përfol edhe një shkarkim i këtij trajneri rreth një javë më parë. Vushtria i besoi edhe njëherë, ndërsa po kryesonte me Flamurtarin në shifrat 2-0, por sërish nuk doli me tre pikë, duke u barazuar në 2-2.
Pastaj deklarata e Antonio Tomas pas ndeshjes me Flamurtarin, si për të parandierë një largim të menjëhershëm, dëmton rëndë imazhin e futbollit në Kosovë dhe është shumë fyese për lojtarët pasi konsiderohen në stadin e amatorit.
“Përse erdhi barazimi? Sepse kemi lojtarë që ndoshta duhej të merreshin me një gjë tjetër, jo të vazhdonin me futbollin. Kur kishim avantazhin 2-0, unë i njoh lojtarët e mi dhe e dija që do ta humbisnim. Nuk kemi futbollistë që të qetësojnë. Futa edhe 5 mbrojtës në 15 minutat e fundit kur ishim 2-1. Por çfarë ndodh? Na shënon i vetmi lojtar kundërshtar nga brenzda zonës. Unë mundohem t’ua shpjegoj edhe në stërvitje sesi të markojnë, por është e kotë. Ata shohin vetëm topin”, ka thënë Toma. /Sport Ekspres/