Fundjava futbollistike ishte e qetë në pothuajse të gjithë Shqipërinë. Qetësia mungonte vetëm te një person, Olsi Rama, i cili gjithmonë është sforcuar të japë imazhin e njeriut të qetë përballë opinionit publik, por prej dy javësh nuk ja del me sukses në këtë “përpjekje” të tij.
Ende pa u mbushur një javë nga incidentet e Derbit Tirana-Partizani, Olsi i Partizanit u shfaq agresiv dhe i nervozuar me gjithë botën. Pak ditë më parë nuk mori asnjë përgjegjësi për dhunën e tifozëve të klubit të tij në ndeshjen vitrinë të futbollit shqiptar, përkundrazi, fajin e gjeti te organizatorët e garës dhe klubi i Tiranës, duke krijuar një precedent të turpshëm. Sot pamë të njëjtën Ramë që pamë në fillim të javës së shkuar, ai që fajin e gjen gjithmonë te të tjerët. Pas ndeshjes me Teutën, drejtuesi i kuq nuk e kapërdiu dot barazimin, dhe ‘fajin’ e gjeti te arbitri, Federata, mbrojtësi Todorovski, skuadra rivale, tifozët e munguar të cilët pavarsisht se kishin gjakosur stadiumin “Selman Stërmasi” sipas tij duhet të ishin në stadium. Për Olsin “e qetë” vetëm skuadra e tij ishte perfekte. Ky është një standart i rrezikshëm në dy elementë: rrezikon të justifikojë skuadrën për paraqitjen sportive dhe elementi dytë, dëmton imazhin e produktit, të cilin drejtuesi i Partizanit shprehet se duhet ta mbrojmë sëbashku dhe të kemi kujdes nga përbaltja.
Një drejtues i sukeshëm duhet të merret me menaxhimin e klubit dhe skuadrës, dhe jo të bëj demagogun duke gjetur “grupe armiqësore” kudo dhe përgjegjësinë ta shkarkojë tek të tjerët. Përtej gjakut, Olsi nuk duhet të marrë kurrë për shembull vëllain Kryeministër, që për çdo dështim fajin e gjen te “puçistët” që urrejnë Shqipërinë.
Olsi dashur, të këshilloj të bësh Drejtorin Sportiv, jo politikanin, mjafton një brenda një familjeje
Editorial nga Alban Nexa