E prisnin prej kohësh, Agim Cana largohet zyrtarisht nga klubi gjakovar

Agim Cana ka lënë tashmë zyrtarisht postin e tij të kryetarit te klubi Vëllaznimi. Këtë vendim e ka marrë që para tre muajve, klohë në të cilën ka paraqitur dorëheqjen e tij te kryetari i komunës së Gjakovës.

Ndëkohë, aprovimi i kësaj dorëheqje nga ana e kryetarit Ardian Gjini ka ardhur ditën e djeshme. Lajmi për largimin zyrtar të Canës bëhet  ditur përmes faqes zyrtare të klubit të Vëllaznimit në rrjetet sociale, ku është postuar edhe letra e plotë e dorëheqjes së zotit Cana. Ky i fundit shpjegon në të gjithë arsyet që e kanë çuar drejt një vendimi të tllë./Sport Ekspres/

Njoftimi i plotë i klubit:

Prej dje, Agim Cana, edhe zyrtarisht nuk është më kryetar i K.F.”Vëllaznimi”. Pasi që dorëheqja e tij e ofruar para më shumë se 3 muaj nuk ishte aprovuar nga kryetari i komunës, dje, Cana i ka paraqitur kryetarit të komunës, dorëheqje të parevokueshme. Ky është teskti i dorëheqjes së Agim Canës nga dertyra e kryetarit të Klubit:

I nderuari Kryetar i Komunës së Gjakovës, Z.Gjini. Kur, para rreth 20 muajsh, më është afruar mundësia që të vihem në krye të Klubit të Futbollit “Vëllaznimi”, në postin e kryetarit, mundësi e inicuar, e konfirmuar dhe e vërtetuar nga Ju, e kam konsideruar këtë si nder dhe respekt që më bëhej. Pavarësisht se kjo më obligonte që të jetoja larg familjes, e kam pranuar këtë detyrë me shumë kënaqësi, me të vetmin qëllim që me përvojën time të gjatë sportive, me njohuritë e mia dhe me fonde nga buxheti personal e familjar të kontribuoj që “Vëllaznimi” të ketë një nivel sa më të lartë të organizimit, të kushteve të punës dhe të cilësisë, pse jo të arrij edhe nivel Evropian.

Gjatë kësaj periudhe kam bërë çmos që ta arrij këtë, edhe pse mbështetja e duhur, posaçërisht ajo financiare, në shumicën e rasteve, më ka munguar, hiq në dy raste kur kam gëzuar mbështetjen e Juaj si Komunë. Pavarësisht kësaj, jam munduar që futbollistëve, trajnerëve edhe të gjithë anëtarëve të Klubit, por edhe shikuesve, tu krijoj kushte sa më të mira për punë, lojë dhe përcjellje të ndeshjeve sportive.

Kam investuar shumë në rregullimin e ambienteve të Klubit (në stadium dhe në lokalet përcjellëse) e posaçërisht në rregullimin e fushës së lojës, e cila, falë kësaj pune të vazhdueshme, është bërë njëra ndër më cilësoret në Kosovë. Jam munduar që me rritjen e nivelit të stimulimit financiar të lojtarëve dhe të trajnerëve, por edhe më krijimin e kushteve të akomodimit të tyre dhe të pajisjes me rekuizita të shumta dhe tejet cilësore, ti motivoj ata për punë dhe rezultate sa më të mira. Fatkeqësisht, këto të fundit, rezultatet, nuk kanë qenë në nivelin e investimeve, angazhimeve, ambicieve dhe dëshirave tona. Konstatimi i arsyes pse ka ndodh kështu, është një proces i vështirë dhe kompleks, dhe ne ende nuk kemi arritur ta bëjmë një gjë të tillë. Ne ndërkohë ia kemi dalë që, pas ndërprerjes më shumë se dy vjeçare, ta riaktivizojmë shkollën e futbollit të Klubit, madje duke e shndërruar ate në Akademi Futbolli, me kushte shumë të mira të punës.

?Pas rreth 20 muajsh të kryerjes së detyrës së Kryetarit të K.F.”Vëllaznimi”, kam ardhur në situatë që për shkak të obligimeve familjare, gjendjes personale shëndetësore dhe mungesës së fondeve të mjaftueshme finaciare, të mos jem më në gjendje që të vazhdoj ta kryej këtë detyrë.

 

Për këtë arsye, juve, i nderuari Kryetar i Komunës, Z.Gjini, po ju parashtroj këtë DORËHEQJE TË PAREVOKUESHME nga detyra e Kryetarit të K.F.”Vëllaznimi”. Që nga ky moment i parashtrimit të kësaj dorëheqjeje, nuk marr kurrfarë obligimi karshi K.F.”Vëllaznimi”. Pavarësisht të gjitha rrethanave dhe ndodhive, këtë periudhë 20-mujore e konsideroj si një periudhë shumë të rëndësishme në punën dhe karrierën time të gjatë dhe të pasur sportive.

Do të jem gjithnjë me dhe për K.F.”VËLLAZNIMI”.

Me respekt,

Agim Cana