Java e shtatë e Superiores/ Dy trajnerë rrezikojnë shkarkimin, Mema duhet të shpëtojë veten

Java e shtatë e Superiores do të luhet në fundjavë, për ta nisur që me ditën e nesërme. Një javë që pritet të jetë disi më ndryshe, pasi mund të na dhurojë edhe shkarkimin e parë të një trajneri, që nuk ka ndodhur derimë tani.

Një shenjë e mirë kjo për projektet e futbollit shqiptar, pasi në Kosovë ka një situatë krejtësisht ndryshe, ku një klub historik dhe pretendent si Prishtina, tani ka trajnerin e tretë brenda sezonit të ri, Armend Dallkun.

Nëse shohim me kujdes renditjen e Superiores dhe gjithçka ka ndodhur me klubet tona, askush nuk duhet të fshihet se trajneri i Flamurtarit dhe Laçit rrezikojnë shkarkimin. Për Sadedinin nuk ka asnjë dyshim, një tjetër humbje dhe dorëzim pa kushte ndaj Tiranës, do t’i tregonte vetë derën trajnerit aktual.

7 ndeshje me 1 pikë të vetme të grumbulluar, është tregues i qartë se vlonjatët do të futeshin në vallen e parakohshme të mbijetesës. Jemi ende herët në fillim të kampionatit, por dalëngadalë po mbyllet një fazë dhe skuadrat e tjera po përparojnë. Në fund do të bëhet diferenca edhe me një pikë mes skuadrave, prandaj Flamurtari nuk ka kohë për të qëndruar në këto ujëra.

Ndërkohë edhe Sulejman Starova luan shumë ndaj Bylisit. Pavarësisht se këta të fundit janë surpriza e kampionatit, nëse do të arrijnë të befasojnë edhe kurbinasit në transfertë, mund të bëjnë “kokën e parë të turkut”. Starova e ka thënë hapur në fillim të kampionatit se do të luftohet për titullin kampion, ndërsa aktualisht ndodhet në vendin e 8 nga 10 skuadra pjesëmarrëse.

Ndërsa sa i përket Ardian Memës, e kaluara tregon se çdo derbi i humbur me Partizanin e trondit trajnerin dhe stolin te Tirana. Një dështim i radhës i Memës, që do të jetë përballë Flamurtarit, ndoshta mund të mos sjellë një shkarkim të menjëhershëm, po rreziku do të jetë fare pranë derës. /Sport Ekspres/