Trazirat nuk kanë fund në “Europa League” për mbrëmjen e sotme. Pas atij droni të hedhur në ndeshjen mes Dudelange dhe Qarabag, përleshjes së tifozëve të Frankfurtit me policinë portugeze dhe mbështetësit të Guimaresh, vjen edhe rasti në Turqi.
Në përballjen mes Bashakshheir dhe ekipit të Bundesligës, Monchengladbach, këta të fundit janë shtangur nga “mikëpritja”. Tifozët gjermanë kanë treguar dhe marrë me vete simbolet e klubit, por kanë shfaqur edhe një kryq, që është simboli i qytetit.
Por këto simbole u shfaqën në vendin e gabuar dhe policia turke ka ndërhyrë menjëherë për t’ia rrëmbyer. Gjithashtu janë arrestuar dy tifozë gjermanë për kundërshtitë e tyre dhe ka pasur momente tensioni. Aspak mirë nuk është pritur e gjitha kjo nga drejtuesit e skuadrës gjermane, me drejtorin sportiv të Monchengladbach, Max Eberl që u shpreh: “Më bën jashtëzakonisht të trishtuar që përjetojmë gjëra të tilla në Europë dhe në vitin 2019”. /Sport Ekspres/