Pas lajmit të ardhur nga Brazili, ku 617 kg kokainë me logon e ekipit shqiptar të Elbasanit janë sekuestruar nga policia vendase, vjen edhe reagimi i presidentit të klubit, Arben Laze. Ky i fundit ka folur për “Report TV”, ku mohon se mund të ketë lidhje me këtë sasi droge dhe se ka vendosur të ngrejë padi për prishjen e imazhit të klubit të Elbasanit. Gjithashtu presidenti ka përmendur se kjo gjë ka ndodhur edhe herë të tjera, por me logo të ndryshme si ajo e Messit apo CR7-ës.
“E ndoqa me vëmendje të gjithë ngjarjen dhe më ka ardhur shumë keq që stema e klubit të jetë aty ku nuk e meritonte, më vjen keq të keqpërdoret imazhi i klubit që unë e kam krijuar vetë dhe kam krijuar dhe e kam fantazuar që nga momenti që unë kam ardhur këtu. Klubi nuk ka lidhje me asnjë lloj lidhje, kushdo mund ta keqpërdorë atë stemë, kanë keqpërdorur figurën e CR7, Messit. Do pyes avokatit për të ngritur padi për prishje të imazhit. S’e besoj që ka lidhje me problemet e mia. Më vjen mirë që klubi paska emër edhe në Brazil”, ka thënë Arben Laze./Sport Ekspres/