Milot Rashica është një nga lojtarët më të mirë të Werderit dhe në këtë sezon të ri, po vazhdon në të njëjtën mënyrë, ashtu si edhe në sezonin e shkuar. Kthehej nga një dëmtim i gjatë, por i shënoi Dortmundit pa asnjë problem të vetëm.
Për herë të parë ka edhe një përplasje të vogël mes menaxherit të lojtarit, Altin Lalës, me Werder Bremenin. Arsyeja është klauzola e largimit që kërkojnë gjermanët t’i vendosin, por që bien ndesh me interesat e sulmuesit shqiptar.
Kontrata e tij mbaron në 2022 dhe kërkohet një zgjatje më e madhe e kontratës. Në fakt, e vërteta është se Rashica pritet të largohet në verë, siç e pranon edhe vetë Altin Lala: “Ndihet shumë mirë te Bremeni dhe ka një kontratë të gjatë. Por Milot Rashica dëshiron të luajë në “Champions League” dhe ka shumë oferta për në verë”.
Duke parë situatën, Werderi kërkon të vendosë një klauzol të lartë për largimin e Rashicës. Ndërsa nga krahu tjetër, Lala e di më së miri se kjo do të largonte edhe disa klube që tashmë kanë shpallur kandidaturën për të marrë shërbimet e Rashicës. Si një lojë pokeri e quajnë edhe mediat gjermane, me një ngërç që po mban pezull edhe kontratën e re të sulmuesit të Kosovës. /Sport Ekspres/