Mesfushori shqiptar Enriko Papa ka gjetur golin në Rumani në ndeshjen midis Hermannstadt dhe Botosan, që ka përfunduar në shifrat 0-1. Goli erdhi në minutën e 49 të takimit, ku pas një krosimi në zonë futbollisti shqiptar ka goditur topin me kokë dhe e ka dërguar në rrjetën kundërshtare. Kështu lojtari me origjinë nga Kuçova i ka dhënë 3 pikët ekipit të tij, që me këtë fitore ngjitet në vendin e 7-të në tabelën e renditjes.
Ky është edhe realizimi i parë për futbollistin shqiptar, në 11 paraqitje në fushën e lojës. Ndërkohë, Papa është një titullar i padiskutueshëm me ekipin e Botosan-it, me të cilët po zhvillon sezonin e dytë në Rumani. Më parë futbollisti ka qenë pjesë e kampinatit shqiptar, ku skuadra e tij e fundit ishte Lushnja, të cilën e la në përfundim të sezonit 2017/2018 për aventurën e re në Rumani. /Sport Ekspres/