Statistika e “IPKO Superligës”, tregon arsyen e Mezanit për mbrojtësit e “Superiores”

Fundjavën që lamë pas është mbyllur edhe java e 6-të e “IPKO Superligës në Kosovë”, ku vihet re një detaj mbi numrin e golave që ekipet kosovare kanë shënuar. Kështu, në ndeshjet e luajtura deri më tani janë shënuar plot 90 gola, gjë që tregon edhe lehtësinë që kanë ekipet për të gjetur rrjetën.

Kjo mund të vijë si pasojë e mangësisë në mbrojtje, duke lënë hapësira të konsiderueshme pas. Duket se skuadrat i mëshojnë më tepër lojës sulmuese, pa u kujdesur shumë për prapavijën. Sulmi luhet si sistem dhe jo i përqendruar te sulmuesit, nisur edhe nga fakti se golashënuesi më i mirë i kampionatit ka vetëm 4 gola në emrin e tij.

Kjo madje mund të jetë edhe arsyeja pse Mezani ia beson qendrën e mbrojtjes lojtarëve shqiptar të ardhur nga “Superiorja”, të cilët luajnë të tërhequr për të mos krijuar shumë hapësira për kundërshtarët, si dhe janë më të disiplinuar. Kujtojmë se trajneri shqiptar afroi fillmisht Shametin, një mbrojtës me mjaft eksperiencë dhe që sjell një siguri në prapavijë. Ndërsa menjëherë pas dëmtimit të tij, ia besoi vendin një tjetër qendërmbrojtësi me po aq eksperiencë siç është Franc Veliut./Sport Ekspres/