Trajneri i kuqezinjve ka komentuar për mediat italiane paraqitjen e ish ekipit të tij, Napolit, në Champions League. Reja ka thënë se Napoli është ekipi i vetëm që i ka pëlqyer në këto ndeshje të para, por ka përmendur gjithashtu edhe Sllavian e Pragës, e cila bëri një paraqitje surprizuese në “San Siro” ndaj Interit, duke rrëmbyer një barazim ndaj zikaltërve.
Në një farë mënyre mund të thuhet se trajneri 73-vjeçar gjen veten te ekipi çek, që tregoi se nuk duhet të merren parasysh diferencat që dy skuadra mund të kenë me njëra-tjetrën, pasi në fushë mund të luajnë si të barabartë. Gjë të cilën mund ta fusë në mentalitetin e lojës së Shqipërisë, për t’u matur si të njëjtë me kundërshtarët.
Sa i përket mënyrës së lojës, trajneri italian thekson se çdo trajner ka logjikën e tij në kokë dhe se duhen parë aftësitë dhe karakteristikat e lojtarëve, në mënyrë që të krijosh një modul loje.
“Napoli është i vetmi ekip në Champions League së bashku me Slavian e Pragës që më kanë pëlqyer. Napoli luan një futboll harmonik, ka fituar përqendrim nga viti i shkuar dhe e meritonte të fitonte ndaj Liverpool. Çdo trajner ka logjikën e tij të lojës në kokë, më pas përpiqet të ngrejë një ekip të balancuar. Përparësia e një trajneri është të shohë kualitetet dhe karakteristikat e lojtarëve dhe duke u bazuar në këtë të ndërtojë një modul ”, ka thënë Edi Reja./Sport Ekspres/